Sëmuret McCain, detyrohet të kryej operacion

Sëmuret McCain, detyrohet të kryej operacion

Udhëheqësi i shumicës republikane në Kongresin amerikan Mitch McConnell tha se do ta shtyjë procedurën e votimit për projektligjin e rishikuar nga republikanët të shërbimit shëndetësor.

Ky njoftim i zotit McConnell erdhi pas lajmit se mjekët e kanë këshilluar senatorin republikan të Arizonës John McCain të mos udhëtojë për një javë, pasi iu nënshtrua të shtunën një operacioni.

Mungesa e senatorit të fuqishëm McCain në senatin e ndarë me një diferencë fare të vogël, e rrezikon projektligjin e shërbimit shëndetësor.

80 vjeçari McCain, është duke pushuar pas operacionit, thuhet në një deklaratë të spitalit të Arizonës.

Klinika Mayo e Feniksit tha se pas një kontrolli rutinë, senatori McCain ju nënshtrua operacionit për heqjen e një tromboze 5 centimetërshe të krijuar nga mpiksja e gjakut, mbi syrin e tij të majtë.

Zoti McCain, ka një të kaluar heroike. Ai është veteran i Luftës së Vietnamit, ku dhe u zu rob. Ai u zgjodh për herë të parë senator në vitin 1986. Në zgjedhjet presidenciale të 2008-ës ai ishte kandidati republikan, që i humbi zgjedhjet ndaj rivalit të tij demokrat Barack Obama./VOA