Sëmundja që po rritet edhe te fëmijët në Kosovë

Sëmundja që po rritet edhe te fëmijët në Kosovë

Ndonëse në Kosovë nuk ka statistika të sakta se sa fëmijë vuajnë nga diabeti apo sëmundja e sheqerit, sipas profesionistëve shëndetësorë, numri i të prekurve nga ky çrregullim po shënon rritje çdo vit.

Në krahasimet afatgjate, thuhet se përderisa në vitin 2007, numri i fëmijëve që ishin diagnostikuar me diabet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka qenë 12 raste, tre vjetët e fundit janë shfaqur rreth 50 raste të reja me diabet. Këta fëmijë, janë të varur nga insulina.

Kështu tha Vjosa Kotori, pediatre, sipas të cilës sëmundja e diabetit është e trajtueshme, dhe fëmijët mund të rriten, zhvillohen mirë dhe të arrijnë një pleqëri të shëndetshme, nëse kanë qasje të drejtë mjekësore.

“Numri i rasteve të reja me diabetin tip 1, që është çrregullim i natyrës auto-imune, është në rritje në Kosovë sikur edhe në shumë vende të tjera. Problemi nuk është Kosova, pse është një vend më pak i zhvilluar, ngase ky është një çrregullim dhe rritja e rasteve të reja shënohet edhe në shtetet e zhvilluara”.

“Problemi që Kosova duhet ta ngreh zërin është përkrahja e të sëmurëve me diabet, mbështetja e tyre me insulinë, dhe me rritjen e edukimit shëndetësor nëpër shkolla dhe media, që të luftohet stigma dhe ndjenja e frikës dhe turpi nga sëmundja e diabetit”, thotë Kotori.

“Sëmundja, që ne e thërrasim çrregullim është kronike, por është e trajtueshme dhe mund të trajtohet shkëlqyeshëm mirë”, thotë tutje ajo.

Mbipesha potencohet se është një ndër shkaktarët kryesor pse fëmijët preken nga diabeti. Por, profesionistë të fushës thonë se diabetin e shkaktojnë shumë faktorë. Për parandalimin e sëmundjes, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë rekomandime, të cilat Sami Uka nga zyra në Prishtinë e kësaj organizate, i shpjegon për Radion Evropa e Lirë.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë po përpiqet të ofrojë udhërrëfyes shkencor për parandalimin e shumicës së sëmundjeve jongjitëse, përfshirë edhe diabetin, të zhvillojë normat dhe standardet për diagnozën e diabetit, dhe të ngrisë ndërgjegjësimin për sëmundjen e diabetit, përfshirë ditën botërore të diabetit, po edhe të realizojë mbikëqyrjen e diabetit dhe faktorët e tij të rrezikut”, thotë Uka.

“Rekomandimi më i theksuar i OBSH-së lidhur me parandalimin e diabetit, është që të rritet aktiviteti fizik, dhe të ruhet pesha optimale. Aktiviteti fizik duhet të zgjatë 30 minuta në ditë”.

“Dietat e shëndetshme luajnë rol të rëndësishëm, duke shmangur sheqerin dhe yndyrat e ngopura,’’ shton ai.

Vjosa Kotori ndërkohë shpjegon për kushtet e trajtimit që bëhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare referente për tërë Kosovën.

“Trajtimi i fëmijëve me diabet në Kosovë është i njëjtë si në gjitha vendet tjera të botës. Ne mundohemi t’i përcjellim të dhënat e reja, marrim pjesë në mbarë botën në kongrese të ndryshme dhe i aplikojmë të njëjtat protokolle. Edukimi shëndetësorë i mirëfilltë për diabetin funksionon shumë mirë në Klinikën e Pediatrisë, pa të cilin nuk ka trajtim të mirë për diabetin”.

‘’Diabeti i tipit 1 i varur nga insulina duhet të trajtohet me 4 dhënie të dozave ditore në ditë. Insulina e tillë ekziston në Klinikë, derisa pacientët edhe në qendra të mjekësisë familjare e marrin insulinën”, tha Kotori.

Ndryshe, edhe ushqimi jokualitativ që çon në mbipeshë, vlerësohet të jetë një nga shkaktarët e sëmundjes së diabetit tek fëmijët.

Sidoqoftë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, vetëm 3 për qind e fëmijëve gjatë kontrolleve mjekësore në shkolla, kanë rezultuar me mbipeshë.