Selmanaj: S’ka siguri për serbët në Kosovë nëse ekstradohet Ramush Haradinaj

Selmanaj: S’ka siguri për serbët në Kosovë nëse ekstradohet Ramush Haradinaj

Kryetari i Komunës së Deçanit, Razim Selmanaj, është përfshirë në debatin mes deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj dhe shefit të të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, rreth ekstradimit të Ramush Haradinajt në Serbi.

Ndër tjera, Selmanaj ka thënë se, nëse Ramush Haradinaj ekstradohet në Serbi, nuk do të ketë siguri për serbët në Kosovë.

“Edhe Gjuriqi qenka shqetësu prej deklaratave të Daut Haradinajt! Ndërsa ne që jetojmë në vendin tonë s’paskemi të drejtë të shqetësohemi me dosjet e shpifura të shtetit fashist të Serbisë së Millosheviçit ndaj Ramush Haradinajt i cili kishte fituar edhe para drejtësisë ndërkombëtare!”, ka shkruar kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, në llogarinë e tij në facebook.

Ai ka thënë se, kushdo që pretendon ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi, u themi se kjo është rrenim i të gjitha të arritura të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe cenim i lirisë së fituar me gjak!

“Nëse krijohet një situatë e tillë, që unë nuk besoj personalisht, atëherë kerkush në këtë vend nuk do të ndihet i lirë, pra as serbët!”, ka shtuar ai.

“Ramushi duhet të kthehet në Kosovë që të mos kemi situata të cilat nuk i dëshirojmë! Ramush Haradinaj duhet te kthehet në Kosovë këtë duhet ta dijnë të gjithë, pra edhe Franca që është vënë në shërbim të politikave të Millosheviqit!”, ka përfunduar postimin e tij Selmanaj.

Për më tepër, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj,, duke folur për mundësinë e ekstradimit të Ramsh Haradinajt për në Serbi, ka thënë se kjo do të krijojë tensione të mëdha.

“Mund të na fusin në luftë, asgjë tjetër. Për të tjerët nuk e di, por për veten po. Nëse gabojnë dhe e bëjnë një gjë të tillë (ekstradojnë Ramushin) duhet të jenë të gatshëm për tema serioze. Nëse e duan e Kosovën pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare”, kishte deklaruar Daut Haradinaj.

Ndaj këtyre deklaratave kishte reaguan Gjuriq.

“Ne i dënojmë fuqishëm kërcënimet e reja që vijnë me plot ankth nga njerëzit në Kosovë dhe Metohi”, kishte thënë Gjuriq për mediet në Serbi.

Sipas Gjuriq, Kosovës në këtë situatë nuk i duhet nxitja e dhunës.

“Është esenciale që në Kosovë dhe Metohi të jetë një atmosferë e tolerancës dhe respektit të ndërsjell, jo nxitjes së dhunës dhe urrejtjes”, ka thënë Gjuriq./Insajderi.com