Selimi: U lodhëm nga trajnimet, MCC ka investime në projekte konkrete

Selimi: U lodhëm nga trajnimet, MCC ka investime në projekte konkrete

Koordinatori Nacional i Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Petrit Selimi, ka bërë me dije se në pjesën e dytë të këtij viti do të fillojnë projektet amerikane të Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC-së) në Kosovë.

Ai ka thënë se qytetarët do të jenë në fokus të këtyre projekteve.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Selimi ka bërë të qartë se nuk do të shpenzohen mjetet vetëm në trajnime dhe asistencë teknike.

“Jemi lodhur me trajnime dhe asistencë teknike, MCC-ja do të investojë në projekte konkrete që do të kenë efekt për shumë qytetarë, sidomos shtresat më të varfra”, është shprehur ai.

Selimi ka treguar se programi i MCC-së është i pavarur nga zhvillimet politike dhe mjetet e përfituara nuk i dedikohen Qeverisë. Ai ka theksuar se në dy linja programore kanë paraparë edhe fonde mbështetëse me grante për organizata të shoqërisë civile dhe mediet. Në këtë intervistë Selimi ka folur edhe për angazhimin në PDK.