Selimi: Të gjitha kishat serbe në Kosovë janë përmendore të Millosheviqit

“Zaten, kemi shkuar deri aty që edhe kishat serbe nëpër Kosovë që quhen kisha serbe dhe jo ortodokse, janë thjeshtë përmendore të atij regjimi dhe shumë të tjera që janë ndërtuar gjatë kohës së atij regjimi”, ka thënë Selimi.

Selimi: Të gjitha kishat serbe në Kosovë janë përmendore të Millosheviqit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka shkuar përtej komentimit për objektin e kishës ortodokse të njohur si “Kisha e Krishtit Shpëtimtar” të cilën e ka quajtur si një objekt që nuk ka të bëjë me kishë, duke komentuar të gjitha kishat e tjera ortodokse në Kosovë.

“Nuk do të thotë qe jemi kundër objekteve fetare të kujtdo në Kosovë por jo në Kampus. Prandaj nuk mund ta respektojmë si Kishë, nuk mund ta ruajmë si kishë, nuk mund ta legalizojmë si objekt, që i bie në një procedurë, të lirohet ai vend, nga një ngrehinë e cila më shumë është përmendore e kohës  së Millosheviqit, Arkanit e Sheshelit sesa si një kishë”, ka thënë Selimi në emisionin “Rrokum Roll” në Rrokum TV.

E, sipas tij, të njëjta sikur kjo kishë, janë edhe të gjitha kishat tjera ortodokse, të cilat Selimi i ka quajtur “kisha serbe”.

“Zaten, kemi shkuar deri aty që edhe kishat serbe nëpër Kosovë që quhen kisha serbe dhe jo ortodokse, janë thjeshtë përmendore të atij regjimi dhe shumë të tjera që janë ndërtuar gjatë kohës së atij regjimi”, ka thënë Selimi, raporton Insajderi.

Sipas tij, kisha te Kampusi Universitar do ta ketë fatin e të gjitha objekteve të tjera pa leje kur të përfundoj procesi i legalizimit duke aluduar në rrënimin e saj.