Selim Pacollit i bllokohet Viber-i

Selim Pacollit i bllokohet Viber-i

Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, ka bërë të ditur se llogaria e tij në aplikacionin Viber është mbyllur përkohësisht.

Sipas Pacollit, kjo ka ndodhur si pasojë e numrit jashtëzakonisht të madh të mesazheve direkte të cilat qytetarët e Prishtinës i kanë dërguar atij.

“Fushata jonë ka hasur në interes të jashtëzakonshëm nga qytetarët e Prishtinës, të cilët më kanë shkruar me mijëra mesazhe për çdo ditë. Iniciativa jonë me VIBER është aq e suksesshme, saqë edhe një kompani e madhe si VIBER nuk mundi ta përballojë gjithë fluksin e mesazheve të cilat po dërgohen edhe në këtë moment në numrin tim. Me këtë unë e kam kuptuar se Prishtina ka aq shumë probleme, të cilat nëse raportohen sikurse tani, ato mund ta bllokojnë edhe një platformë të madhe siç është VIBER” ka thënë Selim Pacolli.

Megjithatë, qytetarët ende mund të dërgojnë mesazhe në numrin e Selim Pacollit në VIBER, edhe pse kandidati për kryetar të Prishtinës nga AKR-ja momentalisht nuk ka mundësi teknike të përgjigjet në aplikacion, pasiqë një gjë e tillë është pamundësuar për momentin nga vetë aplikacioni.

“Pas bllokimit të numrit tim në VIBER unë i ftoj qytetarët e Prishtinës që të më shkruajnë mesazhe direkte në faqen time në Facebook, të më dërgojnë SMS apo edhe mesazhe në  Viber. Sepse unë dua tu përgjigjem çdo kërkese që vjen nga qytetarët”, tha Selim Pacolli.

Selim Pacolli filloi fushatën e tij me VIBER, si një mënyrë e re komunikimi me njerëzit dhe qytetarët e Prishtinës.