Rrëfimi i operatorit Ilia Terpini

Sekretet e Enver Hoxhës kur dilte para kameras

Sekretet e Enver Hoxhës kur dilte para kameras

Nëse e takon Ilia Terpinin do të humbasësh në rrëfimet e tij të një karriere 50-vjeçare me filmin. Edhe pse është plot 81 vjeç, mosha për të është thjesht çështje shifrash pasi me energjinë dhe pozitivitetin nuk i ka kaluar asnjëherë të 60-at. Është një nga kineoperatorët e parë të “Shqipëria e Re”, edhe pse nuk ka mbaruar shkollë në këtë fushë. Pasioni për fotografinë ka nisur në moshën 6-vjeçare dhe vazhdon ta ndjekë në dokumentarët që realizon edhe sot. I ka njohur në rrethana të ndryshme si Mehmet Shehun, Enver Hoxhën ashtu edhe Sali Berishën.

Ka xhiruar mbi 20 filma dhe më shumë se 150 dokumentarë. Jeta e tij është vetë si një film dhe, në një intervistë sjell disa momente të rëndësishme që nisin nga Devolli me dy “të dashurit” e tij, aparatin dhe kamerën, për të vazhduar në Fier dhe Tiranë ku vazhdon edhe sot të punojë me të njëjtin zell si 50 vjet më parë.

enverhoxha

Ilia, ju e shfaqët dashurinë tuaj për fotografinë qysh në moshë fare të vogël. Ka një histori në fillesa?

Kam qenë 6 vjeç kur në fshatin tonë po kalonte një autokolonë italiane në luftën italo-greke aty nga viti në 1941. Një prej tyre ndalon dhe shikon vëllanë tim që mbante në duar një thëllëzë. Ai i afrohet dhe i thotë të ja jepte, po vëllai mezi e kish kapur e nuk ja jep. Atëherë polici italian hapi një çantë dhe nxori nga aty një aparat fotografik dhe kështu ja dha thëllëzën. Vëllait nuk i bëri shumë përshtypje ky aparat dhe e la dhe kështu e mora unë. E ruajta me kujdes dhe kur do shkoja në shkollën e mesme në Korçë, vajta në një studio ku më treguan kush ishte filmi e si mund ta përdorja. Gjatë 4 viteve të shkollës kam bërë shumë fotografi për të gjithë klasën.

Shkollimi juaj shkoi në drejtim krejt tjetër nga fotografia apo jo?

Shkollën e lartë e kam mbaruar në fakultetin e shkencave të natyrës në Tiranë. Menjëherë pasi përfundova u emërova mësues në qarkun e Fierit. Fillova të jap mësim. I gjithë kolektivi vinte nga rrethet. Atje bëmë një shkollë model me kabinete që nuk i kishte asnjë shkollë tjetër. çdo të dielë lëviznim nëpër ekskursione dhe unë vetëm fotografoja. Kam fotografuar Beratin, Apolloninë, Vlorën. Me këto udhëtime kisha bërë dy albume.

Një ditë prej ditësh, vëllai im që punonte shofer, duke dërguar disa materiale në Kinostudio kishte gjetur katalog të aparatit të xhirimit dhe ma sjell. E shfletova katalogun dhe mësova shumë për kamerën. Ndërkohë u bëra drejtor shkolle. Më thotë një ditë shefi i seksionit për të marrë pjesë në një spartakiadë që zhvillohej në Fier. Në mes të stadiumit ishte një kamër xhirimi. Ishte pikërisht ajo që kisha studiuar. I afrohem por dikush më thotë të kem kujdes se po të rrëzohet pasi kushtonte shumë. Më tej ishte Mandi Koço, operatori i parë shqiptar. Shkoj e takoj dhe i them se dëshira ime është të bëhem operator. Jo re,- më tha. ‘Pse kështu bëhesh operator me dëshirë?’ Më pyeti nëse kisha bërë ndonjë fotografi. I them se kisha bërë dy albume. Atë natë ai do të rrinte në hotel në Fier dhe më thotë t’ia sillja që ti shihte. Ia sjell fotografitë. Pasi shfletoi albumet më tha: “Ç’ne mësues? Ti e ke vendin në Kinostudio”. I dhashë emër e mbiemër dhe pas dy javëve vjen shkresa që të paraqitesha pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”. Bëhet fjalë për vitin 1958. Në kohën që vjen kjo shkresë viziton shkollën Mehmet Shehu. U mahnit nga baza materiale që kishim krijuar si shkollë dhe i thotë shefit të seksionit: “Merre Ilian jepi një kalë dhe të bëjë shkollat e tërë krahinës si kjo”. Ngriva unë. Shkresa të nesërmen kthehet në Tiranë si kuadër i pazëvendësueshëm. Kryetari i kooperativës më ftoi në darkën e Mehmet Shehun. Kisha blerë një çifte atëherë dhe dilja për gjah. E kisha qejf gjuetinë. Duke mësuar këtë gjë, Mehmet Shehu më afron dhe më pyet se çfarë pëlqeja të gjuaja. I tregoj për çiften dhe ato që gjuaja. Afrohet edhe sekretari i parë që gjithashtu kishte qejf gjuetinë dhe më ftoi të dilnim bashkë për gjueti. Me sekretarin e parë u miqësuam. I shkova në zyrë një ditë duke i thënë shqetësimin tim dhe në fund të muajit u bë mbledhja e i fundit ku u vendos të ikja.

Si e fituat titullin operator?

Shkova në Kinostudio. Më mori Mandi Koço në ngarkim. Ai kishte mbaruar në Moskë për operator. Unë u bëra asistent i tij. Më dha të gjitha leksionet që kishte bërë në Moskë. Kishte disa rregulla dhe sigurisht që nuk mund të bëheshe nga rruga. Në atë kohë duhet të punoje për të marrë titullin. Të jepnin një skenar dokumentari ta xhiroje dhe e shikonin një grup specialistësh, të cilët vendosin nëse do vazhdoje ose jo. Më erdhi radha të bëja unë këtë dokumentar. çbëra? Shkova bashkë me pedagogun tim dhe studentët natyralistë në Vlorë. Bëra dokumentar me ta dhe pas prezantimit me unanimitet salla vendosi që unë të merrja titullin operator. Regjizorët më të mirë shqiptar kanë qenë operatorë dhe kanë mbaruar në Bashkimin Sovjetik 5 vjet. Bënin shkollën e fotografisë.

Kur e keni bërë filmin e parë artistik dhe çfarë ju ka mbetur më shumë në mendje?

Pas dokumentarit të parë filloj të merrem me të tjerë. Vjen Viktor Gjika nga Moska, dhe filmin e parë artistik që kam filmuar është “I teti në bronz”. Vazhdova me filma të tjerë. Kam bërë 27 filma artistikë. 150 dokumentarë. kam punuar 50 vjet në Kinostudio.

Filmi që më ka bërë më shumë përshtypje dhe që e kam marrë me qejf të madh. Kur p merrja lejen pasi kisha disa vjet që nuk e bëja, e po zbrisja, më takon regjisori Muharrem Fejzo. Më tregon për Mësonjëtoren. Filmi xhirohej në Korçë në vendlindjen time. E braktisa lejen dhe shkova në xhirimin e filmit. Kam filmuar Roza Anagnostin e cila do luante rolin e një vajze të re edhe pse vetë ishte pak më e madhe. Me anë të ndriçimit dhe këndit kemi arritur në atë imazh që shikohet në film. Nuk është mirë të them, por ne ballistët përshembull i vinim dritën nga poshtë dhe deformohej fytyra.

Filmi që më ka bërë shumë përshtypje që e kam marrë më qejf të madh ishte “Dimri i Fundit”. Në atë kohë punonim në punë vullnetare kur po ndërtoheshin pallatet. Mbaj mend që kam qenë tek “Myslym Shyri” kur më vijnë dy asistentë regjisorë dhe më tregojnë skenarin. Nuk e braktisja dot punën vullnetare sepse duhet të merrja shtëpi. Sapo isha martuar. Ata më thonin që kishin biseduar me drejtorin dhe që rregullohej puna e shtëpisë po ku kisha besim unë. Aty dërgova gruan të bëjë punën në vendin e tim.

Nisëm për në Korçë. Dardha kishte mbi një metër dëborë. Atë film e kam xhiruar me shumë qejf në mes të dëborës në -17 temperaturë.

Deri në 12 të darkës organizoja kërcim me aktorët dhe grupin e xhirimit. E bënim fshehurazi këtë gjë pasi nuk lejohej. Kishim kolektiv shumë të mirë nuk kallëzonin. Binte dëbora dhe ne dilnim dukë kërcyer mbi bardhësinë e saj dhe flokët që binin. Mbaj mend Margaritën që habitej e thoshte: “Kaq u bëra e s’kam parë një gjë të tillë’”.

Cili ka qenë filmi më i vështirë?

Filmi më i vështirë ka qenë “Ballë për ballë” ku paraqitej prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Para se të fillonim xhirimin u futëm në një nëndetëse që të shikonim kushtet si do të xhironim. Na thanë për vështirësitë si psh: temperatura ishte 40 gradë. Unë me regjisorin u futëm 30 m thellë. Të gjithë rrinin të ngrirë ndërsa unë tërë qejf. I thashë “pse rrini kështu?” Ishim 30 m thellë dhe një motor të mos punonte ngelnim atje poshtë. Ai film pati shumë sukses.

Ditën e parë të tërmetit në Lezhë vjen Enver Hoxha dhe hyn në një nga këto familjet që i ishte dëmtuar shtëpia. Dikush i thotë ndërkohë që unë filmoja se isha operatori i atij filmi. “Hajde more djalë”, më tha Enveri. “Po kamera ka qenë një perlë”. Këtë film e kam xhiruar me shumë qejf. Vajtëm në festivalin e Brukselit dhe e shfaqem këtë film, kishte rusë pjesëmarrës. Sapo e morën vesh u futën dhe e ndoqën. Në fund na vlerësuan e sidomos Sulejman Pitarkën në rolin e tij.

Veç kësaj ju keni pasur përballje të tjera me diktatorin apo jo?

Në të vërtetë, marrëdhëniet e mia me Enver Hoxhën ishin shumë të mira, ndonjëherë dhe miqësore. Enver Hoxha ishte mjeshtër i shfaqjeve përpara kamerave. Ai e kuptonte se kur operatori ishte gati për ta filmuar dhe gjithnjë pozonte shkëlqyeshëm, i qeshur dhe energjik. Nuk e harroj një rast kur Enver Hoxhën e ktheva nga rruga. Gjatë një vizite në uzinën “Traktori”, Enver Hoxha takon një punëtor me titullin “Hero i Punës Socialiste”. Isha ngjitur në një pikë të lartë për të filmuar një plan të përgjithshëm. Nuk arrita të kap një plan kur Enveri e takon punëtorin. I afrohem e i them: “Shoku Enver, nuk ju filmova dot kur u takuat me “Heroin e Punës”. Enver Hoxha nuk e bëri aspak të gjatë, por me një kthesë mjeshtërore, kthehet pak hapa mbrapa dhe e pyet Heroin për “diçka”. Këndi i duhur, fokus, ndriçim… dhe plani realizohet.

Janë shitur filma në kohën e komunizmit?

Shqipëria ka shitur filma në atë kohë. “Dimri i Fundit” është blerë nga gjermanët. Ata e pëlqyen shumë dhe ja kanë blerë shtetit tonë. Ndërkohë, filmi “Kapedani” që sërish është realizuar nga dy asistentë regjisorë është blerë nga anglezët.

Ju keni një marrëdhënie të ngushtë me Dritëro Agollin. Kjo ka ardhur pasi jeni nga e njëjta zonë?

Kur bëra filmin “I teti në bronz”, skenarin e bëri Dritëroi. E xhiruam në Korçë në zonën e Devollit. Shkoja shpesh tek ai dhe njihemi nga afër. Kam qenë me të edhe kur takoi të birin në 2004 në Rusi dhe e ndjeva detyrim këtë dokumentar me rastin e 85-vjetorit të tij.

Po Sali Berishën si e keni njohur?

Sali Berishën e kam njohur shumë afër. Është jashtëzakonisht i përkushtuar për demokracisë. Ka bërë gabime sigurisht. Mendoj nëse do bënte klinikë për zemrën, do ishte shumë i pasur pa pasur nevojë për politikën. Lexon shumë dhe ka një jetë shumë të rregullt. Gabimi i demokracisë ishte ndarja e tokës me ligjin 7501. Pronari duhet të merrte pronën e tij. I kam bërë albume Berishës. Kam xhiruar edhe shumë momente të demokracisë si grevën e studentëve. Kam hipur në majë të pallateve dhe kam xhiruar momentet kur nis të rrëzohet dhe të tërhiqet trupi i monumentit nga studentët. Këtë e kam bërë për pasion pasi nuk më detyronte kush.

Cili është dëmi më i madh që i është bërë kinematografisë shqiptare për të arritur deri në këtë gjendje?

Mbyllja e Kinostudios. Ky ka qenë krimi më i madh ndaj kinemasë shqiptare. Le të mos bëheshin 14 sa atëherë por të bëheshin dy. Në atë kohë kishte një staf shumë të mirë me specialistë që kishin studiuar jashtë. Ishin mjeshtër të filmit por të gjithë u shpërndanë, u punësuan në televizione, emigruan, mbetën edhe pa punë. Kinostudio nuk ekzistonte më dhe filmi mori një goditje shumë të rëndë. Ajo ishte një Çineçita-ja e vogël, nuk kish pse të mbyllej./TeSheshi.com