Sekretari i suspenduar nga sekseri Gashi qesh me arsyen e shkarkimit

Sekretari i suspenduar nga sekseri Gashi qesh me arsyen e shkarkimit

Sekseri Dardan Gashi i cili i ndihmoi Ramush Haradinajt sa ishte i nominuar për kryeministër të Kosovës për t’i bindur deputetët që të votojnë pro Qeverisë Haradinaj,  kur u bë Qeveria, u emërua zëvendëskryeministër dhe Ministër i Diasporës.

I kritikuar se ka marrë pozita të larta shtetërore duke qenë vetëm sekser i Qeverisë Haradinaj, Gashi megjithatë ka nisur punën, tashmë edhe duke shkarkuar zyrtarë të lartë në Ministrinë e Diasporës.

Bëhet fjalë për Sekretarin e Përgjithshëm të Minsitrisë së Diasporës, Osman Shahini. Sekretari i Përgjithshëm është posti më i lartë në ministritë e Qeverisë, që zgjidhet përmes konkursit dhe jo përmes emërimeve politike.

Sekseri Gashi, në letrën e tij si ministër i Diasporës, drejtuar kryeministrit Haradinaj, arsyeton vendimin e tij duke shkruar se sekretari Shahini “nuk ia kuptuar vizionin e tij”.

“Përkundër përkushtimit tim për ta mbështetur dhe përfshirë në dinamikën e punëve të ministrisë, z. Osman Shahini nuk arriti të akceptojë vizionin dhe dinamikën e përcaktimeve tona të përbashkëta për të rritur efikasitetin, përgjegjësinë dhe transparencën në punën e qeverisë së Republikës së Kosovës,” thuhet mes tjerash në arsyetimin e ministrit në letrën që ia ka drejtuar Kryeministrit Haradinaj.

Sekretari Hashini, i kontaktuar nga Insajderi, ka qeshur kur është pyetur se cili është vizioni i Gashit që ai nuk e ka kuptuar.

“Kjo nuk vlen as të diskutohet. Nuk ka vizion aty”, ka thënë Hashini për Insajderin.

Më pas ai ka sqaruar gjithë historinë mes tij dhe Gashit, qysh prej ardhjes së tij në krye të Ministrisë së Diasporës.

“Secila kërkesë e tij si ministër që ka qenë në dikasterin tim është kryer në momentin e parë që kam pasur mundësi”, ka thënë Hashini.

Ai ka treguar se Gashi nuk e ka paralajmëruar asnjëherë për asnjë problem që ka mundur ta ketë me të.

“Asnjë shkronjë, asnjë e-mail, asnjë paralajmërim nuk më ka ardhur se unë nuk po i kryej detyrat. Sa herë kemi qenë në takime me të si ministër, i kam të gjitha shënimet që ka kërkuar dhe këto kërkesa janë realizuar”, ka thënë Hashini për Insajderin.

Ai ka paralajmëruar se gjatë të premtes do të dalë publikisht që të tregojë të gjitha që kanë ndodhur mes tij dhe ministrit Gashi.

“Do të ketë konferencë për media”, ka thënë ai.

Hashini ka thënë se ministri Gashi ka emëruar në pozitën e ushtrues së detyrës së sekretarit Shyhrete Gosalci, një punëtore në Ministrinë e Diasporës, duke neglizhuar të gjithë drejtorët e drejtorive në Ministri./Insajderi.com