Sekretari i PDK-së akuzon Ahmetin: Shpend, ti je dështak

Sekretari i PDK-së akuzon Ahmetin: Shpend, ti je dështak

Sekretari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakollli ka kritikuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, për mospërmbushje të detyrave si kryetar i kryeqytetit.

Përmes një statusi në Facebook, sekretari ka akuzuar Ahmetin për keqpërdorim të postit, duke thënë se kryetari ka angazhuar 570 aktivistë të Lëvizjes Vetvendosje “për të shkatërruar institucionet shtetërore, rendin dhe diciplinën.”

“Ke bërë shkelje që çdo rend juridik do të penalizonte o Shpend. Mos mendo se t’u ka heq akuza. Komunën e ktheve në duart e 570 aktivistëve që me kontrata mbi vepër, u morën me shkatërrimin e qytetit dhe institucioneve, shkatërruan rendin dhe disciplinën në komunë duke rikthyer terrorin e banditëve tuaj që mbikëqyrin zyrtarët e komunës se me kë flet edhe në telefon”, ka shkruar Cakolli.

Sekretari i PDK-së është shprehur se Ahmeti nuk do të mbahet në mend nga të bëmat e tij, sepse veprat e tij, sipas Cakollit, veçse i kanë bërë dëme Kosovës.

Ai e ka quajtur të parin e Prishtinës “dështak”, teksa i ka numëruar Ahmetit dështimet në Komunë.

“Dështak në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë Cakolli për qeverisjen e Ahmetin.

 

Sipas Cakollit, Shpend Ahmeti nuk do të arrijë më që të fitojë besimin e qytetarëve të Prishtinës për të udhëhequr me Komunën. /Insajderi.com