Sekretari i NATO-s flet për idenë e ushtrisë evropiane

Sekretari i NATO-s flet për idenë e ushtrisë evropiane

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se planet e Bashkimit Evropian për të forcuar bashkëpunimin ushtarak nuk minojnë aleancën atlantiko-veriore.

Skepticizmit britanik dhe të disa vendeve të Evropës Lindore ndaj propozimit franko-gjerman, Stoltenberg iu përgjigj nga Samiti i ministrave të Mbrojtjes së Bashkimit Evropian në Bratislavë.

“E mirëpres debatin rreth forcimit të mbrojtjes evropiane, sepse një mbrojtje më e fortë evropiane dhe një NATO e fortë nuk janë në kundërshti me njëra-tjetrën. Madje, ato forcojnë njëra-tjetrën, siç e tha edhe zonja Mogherini. E rëndësishme është të mos përsërisin njëra-tjetrën. Që të jenë plotësuese dhe që dialogu mes BE-së dhe NATO-s të jetë transparent dhe i hapur, në mënyrë që ne të jemi të sigurtë që po e forcojmë realisht Europën, mbrojtjen në Europë, por edhe bashkëpunimin transatlantik”, tha Jens Stoltenberg.

Këto komente, Sekretari i NATO-s i bëri pasi ministri britanik i Mbrojtjes deklaroi se Britania e Madhe do të vazhdojë të kundërshtojë idenë e një ushtrie të Bashkimit Evropian, dhe se planet e BE-së për të forcuar mbrojtjen do të minojnë NATO-n.

Në Bratislavë u diskutua mbi propozimin franko-gjerman dhe një strategji koherente, të cilën duhet ta miratojnë zyrtarisht udhëheqësit e bllokut gjatë samitit të dhjetorit.

Propozimet përfshijnë shtimin e kostove të misioneve ushtarake, mbajtjen e helikopterëve dhe “drone”-ve të përbashkët, zgjerimin e paqeruajtjes dhe forcimin e mbrojtjes ndaj sulmeve kibernetike, shkruant ch. Plani ka për qëllim të shtojë mundësitë e bllokut për të vepruar pa ndihmën e SHBA-ve dhe të sfidojë një Rusi më agresive.