Sekretari i Ligës së Botës Myslimane premton lobim për njohjen e Kosovës

13.03.2017 16:36
Sekretari i Ligës së Botës Myslimane premton lobim për njohjen e Kosovës

Sekretari i Ligës së Botës Myslimane, Muhamed Bin Abdel Kerim el Isa, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e kësaj Lige për njohjen e mëtejshme të Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës është kauzë e drejtë, andaj të gjitha shtetet e botës duhet ta njohin shtetin e Kosovës”, tha ai, duke premtuar përkrahje në këtë drejtim.

Atë e ka pritur sot kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të cilin e ka njoftuar me të arriturat e vendit në të gjitha fushat.

Në takim u bisedua edhe për fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës dhe nevojën e njohjes nga të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe ato me shumicë myslimane.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për vlerat tradicionale të tolerancës, mirëbesimit dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve etnike dhe fetare që mbizotërojnë në Republikën e Kosovës dhe aspekte tjera të zhvillimeve pozitive në vend.

Në takimin e sotëm ishin edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava dhe ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Rexhep Boja./Insajderi.com