Sejdiu: Qeveria po e bllokon blerjen e autobusëve të rinj

Sejdiu: Qeveria po e bllokon blerjen e autobusëve të rinj

Komuna e Prishtinës e ka lënë përsëri fajtore Ministrinë e Financave për zvarritjet që po bëhen për blerjen e 51 autobusëve të ri për qarkullim urban.

Dardan Sejdiu, nënkryetar i Prishtinës, ka thënë se pas arritjes së marrëveshjes me Bankën Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim, është ministria ajo që po e vonon procesin duke mos lëshuar një garanci shtetërore për marrëveshjen.

“Kemi pas heshtje karshi kësaj teme për garanci shtetërore, dhe vetëm pas publikimit të ngjarjes janë dërguar shkresa”, ka thënë Sejdiu në një konferencë për media të martën.

“Përgjegjësia e ministrit është qe së paku të del dhe të thotë që nuk dëshiron ta procedoj këtë garancion”, ka shtuar Sejdiu.

Sipas tij, e gjithë kjo vonesë është duke u bërë që të mos lejohet një reformë e mirëfilltë në Prishtinë.

“Sikurse me temat tjera ku qeveria ka përgjegjësi per trafikun urban, edhe kjo teme po bllokohet nga ta dhe kjo është një lojë sepse po bllokohet blerja e autobusëve vetëm për mos me leju një reforme kaq te mirë ne Prishtine”, ka thënë Sejdiu.

Qysh në muajin gusht, Komuna e Prishtinës ka arritur të përfundojë një marrëveshje  me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për blerjen e 51 autobusëve të rinj.

Në muajin shkurt, Sejdiu ka theksuar se BERZH tashmë ka publikuar shpalljen për fillimin e procedurave të prokurimit për blerjen e 51 autobusëve të rinj për kryeqytetin, përkatësisht për Trafikun Urban, projekt ky në vlerë prej 12.25 milionë euro.

Rregullimi i trafikut urban ka qenë një nga premtimet kryesore të Shpend Ahmetit në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Komuna e Prishtinës ka reaguar edhe dje ndaj Ministrisë së Financave të cilin e ka akuzuar për zvarritje të këtij procesi ndërsa Ministri Hoti ka sqaruar se për një gjë të tillë nevojitet votimi i dy të tretave të deputetëve në Kuvendin e Kosovës./Insajderi