Së paku 30 vetë janë vrarë sot nga dy sulme me bombë në Siri

Së paku 30 vetë janë vrarë sot nga dy sulme me bombë në Siri

Nga dy sulme me bomba në pjesën e vjetër të kryeqytetit Damask në Siri, sot janë vrarë së paku 30 vetë dhe plagosur më se 40 të tjerë, ka raportuar Observatori sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri.

Sipas këtij grupi, një bombë ka eksploduar në një rrugë derisa aty kalonte një autobus, ndërsa një sulmues vetvrasës e ka sulmuar një kompleks ku gjenden disa tempuj shiitë, që vizitohen nga pelegrinët e gjithë botës.

Agjencia shtetërore e lajmeve, SANA, ka raportuar se “dy bomba të vendosura nga terroristët kanë eksploduar afër varrezave, Bab al-Saghir, në Bab Musalla, duke shkaktuar vdekje dhe plagosje”.

Stacioni televiziv, Al-Maydeen, me seli në Liban, ka raportuar se cak i sulmeve me bomba ishin autobusët me të cilët pelegrinët udhëtonin për në varrezat, Bab al-Saghir.

Burime lokale të sigurisë i kanë thënë agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, se me këto bomba ishin sulmuar vizitorët iranianë në tempullin e myslimanëve shiitë.

Askush nuk e ka marrë prëgjegjësinë e menjëhershme për këtë sulm.