“S’e njoh asnjë futbollist të Kosovës, vendi im është Shqipëria”

“Unë nuk njoh asnjë lojtar të përfaqësueses së Kosovës. Vendi im është Shqipëria”, thotë Tao Gjikolli, një anëtar i Plisave.

“S’e njoh asnjë futbollist të Kosovës, vendi im është Shqipëria”

Ata pritën 30 vjet për këtë. Të enjten, Ultras Plisat – grupimi më i madh tifozerik i Klubit të Futbollit Prishtina – e panë për herë të parë klubin e tyre të luante në garat evropiane. Prishtina u përball me skuadrën suedeze Norrkoping, në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Evropës.

Kjo është hera e parë që klubi i tyre, Prishtina, luan në Evropë. Në një garë evropiane. E për këtë të emocionuar u shprehën tifozët e Prishtinës, Plisat.

“Është emocionuese, sepse për 28 vjet e pres këtë moment”, shprehet anëtari i Plisave, Genci, dentist me profesion.

Rreth 100 tifozë u mblodhën të enjten afër fan klubit të Plisave, për ta parë së bashku në një monitor të madh ndeshjen e Prishtinës ndaj Norrkoping.

E humbja e Prishtinës me rezultat 5 me 0 ndaj ekipit suedez, i la të dëshpëruar Plisat, raporton mediumi Kosovox, përcjell Insajderi.

“Na mungon përvoja. Na mungojnë edhe financat. Ka shumë talentë të rinj këtu. Ne duhet të qëndrojmë të fokusuar në stërvitjen e futbollistëve të rinj dhe t’i bëjmë ata që të qëndrojnë këtu”, thotë Besniku, një anëtar me influencë i Plisave.

Në shkrimin e publikuar nga mediumi Kosovox, theksohet se Plisat nuk veprojnë vetëm për futbollin. Grupi i themeluar në vitin 1987, po ashtu mban qëndrime të forta politike, që shënojnë nacionalizmin shqiptar.

Në ndeshjen ndaj Norrkoping, 300 tifozët që kishin udhëtuar në Suedi nuk kishin bartur me vete në stadium, flamurin e Kosovës. Plisat kishin vetëm flamujt kombëtar.

“Unë nuk njoh asnjë lojtar të përfaqësueses së Kosovës. Vendi im është Shqipëria”, thotë Tao Gjikolli, një anëtar i Plisave.

Ndërsa Besnik Mujeci, thotë se “sporti është një mënyrë e mirë për të shpërndarë mesazhe politike”. /Insajderi.com