Schweinsteiger largohet nga kombëtarja gjermane

Schweinsteiger largohet nga kombëtarja gjermane

Mesfushori  Bastian Schweinsteiger ka dhënë dorëheqjen nga kombëtarja gjermane e futbollit. 31-vjeçari bëri para pak minutash njoftimin e vet zyrtar në rrjetet sociale, ku lajmëron tifozët se nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së “pancerave”.

Mesfushori i ka kërkuar trajnerit Joachim Löw të mos grumbullohet më. Arsyeja kryesore e këtij vendimi të vështirë të ish-lojtarit të Bayernit është forma fizike gjithnjë në rënie e tij, i cili ka vuajtur tmerrësisht shumë nga dëmtimet në vitet e fundit.

Schweinsteiger ka luajtur me Gjermaninë që nga viti 2004, duke u aktivizuar në 120 ndeshje, i renditur i katërti në listën e futbollistëve gjermanë me më shumë paraqitje me kombëtaren. Ai ka luajtur në shtatë turne dhe në Botërorin 2014 u shpall kampion bote pas një performance epike të tij në finale me Argjentinën. Pas aventurës me triumf në Brazil, ai mori vendin e kapitenit të dorëhequr, Philipp Lahm, teksa tani lë detyrën ashtu si ish-shoku i tij i skuadrës te Bayerni.