SBASHK-u fiton ‘betejën’ gjyqësore për 13 arsimtarët pensionistë

SBASHK-u fiton ‘betejën’ gjyqësore për 13 arsimtarët pensionistë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka bërë të ditur se e ka fituar një rast në gjykatë që ka të bëjë me pagat e arsimtarëve të pensionuar.

SBASHK-u thotë se Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e SBASHK-ut ku ka fituar në gjykatë betejën e parë me komunat. Nga kjo, 13 anëtarët e pensionuar të kësaj sindikate do të marrin vlerën e 3 pagave në emër të shpërblimit jubilar dhe vlerën e 3 pagave në emër të pagave përcjellëse me rastin e pensionimit.

“SBASHK-u kishte provuar që përmes takimeve e me dialog me institucionet e pushtetit lokal të realizojë të drejtën e garantuar në nenin 36 të Kontratës Kolektive për të punësuarit në arsim, që janë anëtarë të SBASHK, që me rastin e pensionimit të gëzojnë shpërblimet jubilare dhe tri pagat me rastin e pensionimit”, thuhet në njoftimin e SBAShK-ut.

“Qeveritë komunale kishin hezituar ta kryenin këtë obligim dhe prandaj SBASHK-u kishte grumbulluar dokumentacionin e duhur për anëtarët e vetë të pensionuar në vitet 2015 e 2016 dhe kishte ngritur padi në gjykatat gjegjëse në të gjitha komunat e Kosovës”, thuhet më tej aty.

“Kjo gjykatë pasi ka dëgjuar mbrojtjen e SBASHK-ut dhe ka administruar provat ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e SBASHK-ut . Në këtë mënyrë SBASHK-u fitoi në gjykatë betejën e parë me komunat dhe të 13 anëtarët e pensionuar të kësaj sindikate do të marrin vlerën e 3 pagave në emër të shpërblimit jubilar dhe vlerën e 3 pagave në emër të pagave përcjellëse me rastin e pensionimit”, vazhdon njoftimi.

SBASHK-u pret që shumë shpejtë edhe gjykatat nëpër komunat tjera të nisin me seancat dhe me procedurën e dëgjimit të palëve dhe të administrimit të provave në mënyrë që gjithë anëtarët e kësaj sindikate të pensionuar në vitet 2015 e 2016 të marrin shumën e 6 pagave, ashtu si ua garanton Kontrata Kolektive e nënshkruar nga SBAShK-u dhe MAShT-i.