Santosi dëshiron edhe 12 milionë euro për Neymarin

06.08.2017 18:19
Santosi dëshiron edhe 12 milionë euro për Neymarin

Neymar ende nuk ka debutuar me PSG-në, por transferimi i tij prej 222 milionë eurosh në Paris nuk mund të mos “aktivizonte” ish-klubin e tij, Santos.

“Globoesporte” zbulon se brazilianët kërkojnë 5% të shumës së transferimit të 25-vjeçarit, siç parashikohet në rregulloren e FIFA-s. Kjo shifër llogaritet të jetë 8,9 milionë euro. Ndërkohë, Santosi kërkon edhe 4,5 milionë euro të tjera, sepse pretendon që Barcelona duhej të kishte luajtur dy ndeshje miqësore me ish-skuadrën e sulmuesit, siç parashikohet në një nga klauzolat e kontratës së firmosur nga dy palët në vitin 2013.

Një nga këto ndeshje është luajtur (në turneun “Joan Gamper” në vitin 2013), por tjetra jo, kështu që Santosi i ka dërguar një letër klubit katalanas për këtë çështje dhe ende nuk ka marrë përgjigje. Barcelona, ndërkohë, ka gjetur justifikimin ideal. Sipas nënkampionëve të Spanjës, përqindja e parashikuar për shitjen e lojtarit nuk është e vlefshme në këtë rast, sepse Neymar e ka paguar vetë klauzolën e largimit, me paratë që ia ka dhënë PSG-ja.

“Neymar u bë lojtar i lirë dhe pastaj një skuadër tjetër u afrua dhe e transferoi”, është argumenti i hierarkisë katalanase. Për sa i përket miqësores së dytë, duhet të presim për një reagim zyrtar nga Barcelona.