Sanchez nuk rinovon, Arsenal mendon për zëvendësuesin

Sanchez nuk rinovon, Arsenal mendon për zëvendësuesin

Arsenal ka filluar të mendojë një të ardhme pa Alexis Sanchez. Sulmuesi nga Kili prej kohësh ka nisur bisedimet për rinovimin e kontratës, por palët janë ende shumë larg njëri-tjetrit, kësisoj futbollisti ka nisur të bëj valixhet.

Sanchez merr aktualisht 150 mijë euro në javë, klubi është gati t’i jap 220 mijë euro, por ai kërkon rreth 300 mijë euro në javë, që do ta fuste mes tre lojtarëve më të paguar në Premier League.

Në këto kushte londinezët kanë nisur të mendojnë për pasardhësin e tij dhe kanë tre emra që mund të afrojnë në “Emirates”, Alexandre Lacazette i Lyon, Marco Reus i Borussia Dortmund dhe Andre Silva i Porto. Njëri prej tyre do të vijë me patjetër, sepse Sanchez do të shitet në verë për të mos e humbur me koston zero në vitin 2018, kur do të jetë i lirë nga çdo lidhje kontraktuale.

Marco Reus ka te shpejtësia e veprimit karakteristikën e tij kryesore dhe nëse nuk ka dëmtime mund të arrijë të luajë në nivelet e Sanchez. Ai ka realizuar 6 gola në 14 ndeshje të luajtur në këtë sezon, ku vetëm në fund të nëntorit është kthyer në dispozicion të trajnerit Tuchel, si pasojë e një dëmtimi të rëndë që nuk e la 27-vjeçarin të luante në Euro 2016.

Nëse gjendja fizike e Reus nuk do të bindë drejtuesit e Arsenal, atëherë emri i dytë në listën e tyre është talenti portugez Andre Silva. 21-vjeçari ka shënuar 18 gola në 33 ndeshje me Porton në këtë sezon, përfshi dy ndaj Leicester në Champions League. Kandidatura e tretë është ajo e Alexandre Lacazette, autor i 22 golave në po aq ndeshje të luajtura sivjet me Lyon në Ligue 1.