Samsung pezullon shitjet e Note 7

Duhej të hidhej në treg pikërisht ditën e sotme, por një e papritur ka detyruar Samsung që të shtyjë me të paktën dy javë nisjen e shitjeve për Galaxy Note 7, produkti i fundit i serive Note.

Samsung pezullon shitjet e Note 7

Kompania koreano-jugore njoftoi se ka ndalur përkohësisht dërgesat për tre kompanitë kryesore të telefonisë celulare në vendlindje dhe shkak është një problem me baterinë e pajisjes.

Vetë kompania nuk ka dhënë shumë detaje për problemin në fjalë, por nëpër forumet teknologjike thuhet se janë regjistruar disa raste shpërthimi të telefonit gjatë ose pas karikimit.

Samsung thotë se është duke kryer testimet e nevojshme për riparimin e avarisë dhe kërkon dy javë kohë për ta korrigjuar atë.

Tërheqja e pajisjeve nga publikimi mbërrin vetëm 5 ditë nga hedhja në treg e iPhone 7, rivali kryesor në tregun e telefonave inteligjentë i kompanisë koreano-jugore.

Galaxy Note 7 u prezantua më 2 gusht. Në fakt, produkti është i gjashti në serinë e këtij lloji, por Samsung vendosi numrin “7”  dhe për këtë shpjegimin e ka dhënë kohë më parë, kur deklaroi se Note 7 do të ishte një version hibrid mes Note 5 dhe S7 Edge.