Sami Lushtaku, letër nga burgu për Epopenë e UÇK-së

Sami Lushtaku, letër nga burgu për Epopenë e UÇK-së

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili po vuan dënimin në burg, ka shkruar një letër ku kujton Epopenë e UÇK-së në 19-vjetorin e saj.

Këtë letër e ka publikuar në rrjetin social facebook djali i tij, Mërgimi.

Në këtë letër Lushtaku kujton kohën me Ademin e Hamzën kur nisën përpjekjet për çlirimin e vendit.

“Sa herë që vjen fillimi i marsit, më kujtohet që patëm nisur bashkë me Ademin e Hamzën dhe shokët e tjerë për me e çliru vendin tonë nga pushtuesi serb. Ju keni kalu në amshim e ne mbetëm ende duke u mundu me e dërgu në vend amanetin që na e latë”, thuhet në letrën e tij.

“Edhe Epopenë e këtij viti, mbes i përkushtuar që të shkoj pas rrugës të cilën e patëm fillu bashkë. E kujtojmë përherë Epopenë e UÇK-së dhe ata që ranë për idealin më të madh, çlirimin e Kosovës. E them me tërë mendjen e trupin tim, se mbetem përkrah shokëve dhe familjeve të ushtarëve të UÇK-së, në krye me familjen Jashari dhe me komandantin tonë legjendar Adem Jashari”, shkruan më tej.

“Përgjithmonë së bashku me familjen Jashari dhe idealin e tyre. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj”, përfundon letra e Sami Lushtakut./Insajderi.com