Sali Berisha e quan Vuçiqin qaraman

Sali Berisha e quan Vuçiqin qaraman

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pas një takimi që zhvilloi sot në Tiranë, me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministrat: Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi ,  ka reaguar ndaj deklaratave të Aleksandar Vuçiqit, ku kasapin e Ballkanit, Slobodan Millosheviq e kishte quajtur lider të madh.

Berisha ka thënë se Vuçiq përmes këtyre deklaratave ka dëshmuar se është një qaraman i vërtetë, teksa e ka quajtur Millosheviq të dytë.

Ish kryetari i PD-së i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të analizojë vizitën dhe qëllimin e presidentit serb në Kosovë.

“E shfrytëzoj rastin për të dënuar publikisht qëndrimin e Aleksandar Vuçiq, i cili erdhi me dy flamuj, me flamurin e Serbisë së Madhe të Millosheviqit , dhe erdhi me flamurin e doktrinës të Vaso Çubrilloviqit, i cili në çdo takim dhe mbledhje fliste vetëm për demografi dhe pyeste se sa shqiptarë janë, sikur të ishin alienë shqiptarët dhe jo banorë mijëra vjeçar në trojet e tyre.

Edhe njëherë i bëj thirrje këtij komuniteti ndërkombëtar, të studiojnë vizitën e tij, se cili është ky qaraman, se ky është burrë shteti që rrin dhe qahet në çdo vend bënë viktimën në ndërkohë kur ai është një Millosheviq i dytë, plus një Çubrilloviq” tha Berisha .