“Sakrifica” e dytë e Veselit në shërbim të Haradinajt

“Sakrifica” e dytë e Veselit në shërbim të Haradinajt

Kadri Veseli kishte filluar ta paraqesë vetën si një lider që do të drejtonte Qeverinë e re të Kosovës, pasi partia e tij kishte votuar pro shkarkimit të Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa me të cilën ishte në koalicion.

Ai vazhdoi me “turin e dëgjimit” që ishte një parafushatë e zgjedhjeve të 11 qershorit dhe ishte kandidati i PDK-së për kryeministër të vendit, raporton Insajderi.

Deri një natë para se afati për regjistrimin e partive dhe koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Veseli ishte kandidati i PDK-së për kryeministër por ai bëri koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA-n.

Kandidat për kryeminsitër i këtij koalicioni u bë Ramush Haradinaj, lideri i AAK-së.

Veseli në fillim nuk e kishte shpjeguar pse ia kishte dhënë këtë mandat Hardinajt por PDK-ja kishte thënë se kreu i PDK-së, Kadri Veseli, e ka ftuar Ramush Haradinajn nga AAK që ta udhëheqë “Fillimin e Ri”, një emër kampanje i PDK-së që më vonë pas koalicionit u bë “Ka ardhë koha për Fillimin e R” duke ia shtuar edhe moton e AAK-së “Ka ardhë koha për Kosovën”.

Veseli më vonë gjatë fushatës e kishte arsyetuar këtë “sakrificë” të tij për postin e kryeministrit duke thënë se ai dëshiron që të ketë një Qeveri e cila do të udhëhiqej nga njerëz liderë të cilët mund ta bëjnë ndryshimin.

E kur zgjedhjet mbaruan dhe rezultatet u certifikuan e bashkë me këtë u kuptua edhe fakti se koalicioni PAN nuk i ka numrat e mjaftueshme për të formuar Qeverinë e as të zgjedhë kryeparlamentarin i cili i përket PDK-së që ka nominuar Veselin, vjen “sakrifica” e dytë e liderit të PDK-së.

Pasi seanca konstituive e thirrur dy herë brenda ditës së sotme dështoi ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, ai deklaroi në televizionin publik se ai mund të tërhiqet nga kandidatura për këtë post.

Ai tha se mund të ofrojë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të ecet përpara me formimin e Qeverisë.

Sipas tij, një gjë të tillë do ta bëjë për t’i hapur rrugë zgjedhjes së Ramush Haradinajt kryeministër, po në të njëjtën ditë kur zgjidhet kryetari i Kuvendit.

“Unë i thërras publikisht, le të mbajnë fjalën, që brenda ditës së nesërme lë të dalin e të thonë se Kadri Veseli është pengesë, unë për hir të institucioneve dhe të Kosovës do ta ofroj një kandidat tjetër për kryeparlamentar, por në të njëjtën ditë ta votojnë Qeverinë e Kosovës dhe Ramush Haradinajn për kryeministër”, tha Veseli.

Kësisoj Veseli, në rast të tërheqjes do të mbetet vetëm deputet i koalicionit PAN  dhe duhet të pres që të zgjidhet Ramush Haradinaj, kryeministër i vendit që të marrë ndonjë pozitë në Qeverinë e cila tash për tash nuk i ka votat e sigurta. /Insajderi.com