Sadiku, drejt Luganos së Tramezzanit

Sadiku, drejt Luganos së Tramezzanit

Pas një vere tepër intensive, për shkak të Evropianit të zhvilluar me kombëtaren e Shqipërisë, dhe qëndrimit të Cyrihut, pavarësisht rënies një kategori më poshtë, Armando Sadiku duket se e ka ende të paqartë të ardhmen.

Por, siç ai vetë e ka konfirmuar për një portal zviceran “tio.ch”, e ardhmja mund t’i ofrojë edhe një rikthim në nivelet më të larta të futbollit në Zvicër.

Bëhet fjalë një për rikthim të mundshëm te Lugano, aty ku së fundi ka shkuar edhe Paolo Tramezzani.

“Di që palët janë duke negociuar”, ka shpjeguar Sadiku. “Agjenti im po shqyrton situatën dhe presim ende se çfarë do të ndodhë. Për momentin preferoj të mos flas, pasi duhet t’i lëmë vend zhvillimeve”, ka shtuar ai.

“Sigurisht që e njoh shumë mirë Luganon dhe gjithçka që e rrethon skuadrën dhe klubin. Gjatë kohës që kam luajtur atje jam ndier shumë mirë, edhe pse më ka ngelur peng që nuk mundëm të siguronim ngjitjen në majën e futbollit”, ka thënë Sadiku.

“Tashmë gjërat kanë ndryshuar, duke parë se skuadra po lufton për mbijetesë. Ndërsa për Tramezzanin, nuk mund të flas veçse mirë”, ka shtuar ai.

Gjithashtu ai ka falënderuar De Biasin dhe Paolo Tramezzanin duke thënë se “falë tyre kemi hyrë në histori”.

Verën e 2016-s, pikërisht me fanellën kuqezi, Sadiku u fut në histori si autori i golit të parë evropian për Shqipërinë në një evropian.

“Nuk e kisha kuptuar atë çfarë bëra, derisa u kthyem në shtëpi dhe kemi festuar me tifozët tanë. Entuziazmi i tyre është treguesi i emocioneve të vërteta. Të gjithë më ndalonin, më kërkonin foto, autografe apo edhe thjesht ndalonin për të më parë. Ishte diçka e jashtëzakonshme për të gjithë ne”, është shprehur ai.