Sa vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sipas Daçiqit

Sa vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sipas Daçiqit

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq thotë se në regjistrin e vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës gjenden të paktën e “shtatë – tetë njohje të shpikura”.

Sipas fjalëve të tij, nëse Serbia i qaset me seriozitet kësaj çështjeje, numri i vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës mund të bjerë nën 100.

Daçiq në një intervistë për gazetën “Veçernje novosti” të Beogradit, sot ka thënë se Serbia do të verifikojë të gjitha informatat lidhur me Madagaskarin për njohjen e Kosovës.

“Do t’i verifikojmë të gjitha rreth Madagaskarit, lufta do të vazhdojë. Po përballemi me kundërshtarë të fuqishëm dhe me mbrojtësit e tyre. Po kërcënohen vende, po protestohet te të gjitha vendet që e kanë tërhequr njohjen, atyre po iu ofrohen gjëra të ndryshme”, ka thënë Daçiq.

Ai ka theksuar se ka biseduar me ministrat e punëve të jashtme të shumë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën dhe ka shtuar se pozicioni i tyre është i qartë dhe se do të mund të ndodhë edhe rishqyrtimi i këtyre pozicioneve.

Ai ka shtuar se nuk dëshiron të tregojë për cilat vende bëhet fjalë në mënyrë që, siç tha ai, të mos i ndihmohet Prishtinës.

Duke folur për dialogun e brendshëm në Serbi për Kosovën, Daçiq ka thënë se qëllimi i kësaj iniciative është që të paraqiten qëndrimet se cila do të ishte zgjidhja afatgjate.

“Që të arrihet tek ajo, pala tjetër duhet të pranojë bisedën. E Prishtina mendon se nuk ka për çfarë të bisedohet, pasi thotë se pavarësia është e pakthyeshme. Është treguar se kjo s’është e vërtetë. Tajvanin dikur e kishin njohur më shumë se 80 vende e tani numri i këtyre vendeve është shumë i vogël”, ka thënë Daçiq, përcjell koha.net.

Duke komentuar propozimin e palës kosovare që në dialogun Beograd – Prishtinë të kyçet edhe SHBA-ja, ai ka thënë se ndryshimi i formatit nënkupton edhe një vendim të ri dhe se në këtë rast në dialog do të dëshironin të hynin edhe vende të tjera e edhe Serbia i ka propozimet e veta.