Sa natyrale është lufta tek qeniet njerëzore?

Sa natyrale është lufta tek qeniet njerëzore?

Nga Stiv Tejlor

Nëse shihni botën e sotme, dhe nëse studioni historinë e regjistruar të racës njerëzore, është e lehtë të konstatohet që specia jonë është natyrshëm e etur për gjak dhe agresive. Duket sikur lufta dhe brutaliteti kanë qenë të përhapura kudo, dhe janë të natyrshme për qeniet njerëzore. Dhe në fakt ky është përfundimi ku kanë mbërritur shumë studiues dhe shkencëtarë.

Një nga themeluesit e psikologjisë evolucionare, E.O. Uillson, i referohet luftës si “mallkimi i trashëguar i njerëzimit”, ndërsa një tjetër psikolog evolucionist, Stiven Pinker, ka sugjeruar se “bastisja dhe gjakmarrja kronike, karakterizojnë jetën në një gjendje natyrale”. Megjithatë, ekzistojnë shumë prova, të cilat sugjerojnë se kjo pikëpamje është e rreme.

Në vitin 2005, kam botuar një libër të quajtur “Rënia”, ku argumentoja se prehistoria e racës njerëzore qe relativisht harmonike, dhe se fenomene të tilla si lufta, dominimi mashkullor, hierarkitë sociale dhe ato të religjioneve ateiste, filluan të shfaqen vetëm rreth 6000 vjet më parë, për shkak të zhvillimit të një ndjenjë të fortë individualiste dhe të ndarjes.

Në kohën e botimit të librit, ideja se grupet prehistorike gjuetare qenë paqësore dhe të barabarta mes tyre, ishte më e tepër e diskutueshme, edhe pse mbështetej nga një numër shumë i madh arkeologësh dhe antropologësh. Por unë jam i kënaqur të them se gjatë 10 viteve të fundit, kjo ide ka fituar më shumë prova dhe mbështetje, dhe është bërë me shumë më e pranuar gjerësisht.

Për shembull në vitin 2014, një studim i 21 grupeve bashkëkohore primitive gjahtarësh nga antropologët Fraj dhe Soderberg, dëshmoi një mungesë të spikatur provash për konflikte ndër-grupore gjatë 100 viteve të fundit. Kishte patur vetëm një rast (një grup aborigjen australian i quajtur Tivi), të një historie vrasjesh. Në një tjetër studim të përqëndruar tek prehistoria, antropologu Brajan Ferguson (2013) kreu një studim të detajuar të Evropës dhe Lindjes së Afërt Neolitike, dhe nuk zbuloi thuajse asnjë dëshmi luftërash.

Ferguson zbuloi se lufta u bë e zakonshme vetëm rreth vitit 3500 P.E.S. Në Levant – një zonë e cila përfshin Jordaninë, Sirinë, Izraelin dhe Palestinën e sotme – nuk kishte asnjë shenjë të luftës deri në kohë, ndonëse zona ishte tejet e populluar dhe tokat e kultivuara që nga viti 9000 P.E.S. Gjithashtu po në vitin 2013, antropologët Xhonathan Has dhe Mejtu Pishiteli shqyrtuan përshkrimet e 2900 skeleteve prehistorike të njeriut nga literatura shkencore, dhe përveç vendit të vetëm të një masakre në Sudan (ku qenë vrarë dhjetëra njerëz), vetëm katër skelete tregonin shenja dhune – dhe madje edhe ato përputheshin me vrasje të veçanta dhe jo luftë.

Sikurse vërejtën autorët kjo “mungesë e dhunës” bie krejtësisht në kontrast “me periudhat e mëvonshme, kur lufta shfaqet qartësisht në këtë arkiv të dhënash historike të shoqërive të caktuara, dhe është e shenjuar nga shenjat skeletore të dhunës, armëve të luftës, siteve dhe arkitekturës mbrojtëse etj…”. Universaliteti i supozuar i luftës në historinë njerëzore mund të jetë e kënaqshëm për ndjesinë popullore, por atij i mungon mbështetja tek faktet”.

Edhe komunitetet e sotme primitive që jetojnë përmes gjuetitsë, në përgjithësi nuk janë territoriale – ata nuk mendojnë për një zonë të caktuar hapësire që u përket vetëm atyre, dhe nuk agresivë ndaj cilidto që shkel mbi të. Ngjan disi e pamundur, që grupe të ndryshme te kenë qenë qenë në konflikt të vazhdueshëm për burimet e njëri-tjeterit. Në fakt, në vend se të jenë në konflikt, grupet bashkëkohore ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Ata rregullisht vizitojnë njëri-tjetrin, bëjnë krushqi, dhe shpesh anëtarësohen tek komuniteti tjetër.

Me fjalë të tjera, dëshmi të forta sugjerojnë se konflikti mes grupeve nuk është i lindur tek qeniet njerëzore, dhe u perhap vetëm në një fazë mjaft të vonë në historinë njerëzore. Po pse ndodhi kjo? Për momentin nuk ka një përgjigje të qartë. Disa studiues kanë sugjeruar një lidhje me fillimin e bujqësisë, të tjerët me vendbanimet e para në shkallë të gjerë, presionin demografik të popullsisë – ndërsa teoria ime është se kjo ndodhi për shkak të një ndryshimi psikologjik tek grupe të caktuara njerëzish.

Kjo çështje është shumë më tepër se sa një argument pedant akademik. Pikëpamja jonë për natyrën njerëzore, përcakton pikëpamjen tonë mbi të ardhmen e racës njerëzore. Nëse ne besojmë që qeniet njerëzore janë natyrshëm luftarake, atëherë s’ka asnjë arsye të besojmë se e ardhmja jonë në rezervon diçka tjetër, përveç më shumë kaos dhe konflikte, që kanë mbushur të kaluarën tonë.

Por, nëse besojmë se konflikti nuk është i lindur bashke me ne, dhe se agresioni ynë i detyrohet faktorëve të jashtëm, atëherë kemi të drejtë të kemi një vizion të ndryshëm mbi të ardhmen. Ne kemi qenë dikur specie paqësore, kështu që nuk ka asnjë arsye pse duhet të heqim dorë nga shpresa për t’u bërë sërish të tillë. /“Psychology Today” – www.bota.al