Ryshfeti 20 mijë eurosh për zyrtarin e Qeverisë dhe “roqkotellat” e tij

Ryshfeti 20 mijë eurosh për zyrtarin e Qeverisë dhe “roqkotellat” e tij

Gjithçka kishte filluar me një dokument fals. Kosovari që jeton në Zvicër, Elsadat Musliu, ishte zënë duke kontrabanduar një dokument. Për këtë ishte dënuar 3 vite. Por kur ai e njoftoi një zyrtar të Qeverisë së Kosovës, shpresat për të shpëtuar nga burgu ishin ngjallur. Gjithçka u shua kur në lojë hyri ryshfeti.

Kosovari pretendon se zyrtari i arrestuar i financave në Qeverinë e Kosovës, Zahir Bajrami së bashku me djalin e tij Ardianin, i kërkuan 20 mijë euro që t’ia hiqnin atij një dënim prej tre vitesh burgim.

Musliu në vitin 2012 kishte kryer veprën penale kontrabandë me emigrant. Ai ishte zënë me një dokument fals, të cilin po e dërgonte për një person tjetër. Musliu i dënuar me 3 vite burg.

Ai thotë se zyrtarin e lartë të Qeverisë e kishte njohur për shkak të namit që ai e ka pasur në fshatin Ramjan të Vitisë, si zyrtar financiar në Qeverinë e Kosovës.

Në këtë mënyrë, edhe kishte rënë në kontakt me të. Sipas Musliut, ky zyrtar, i kërkoi atij 10 mijë euro që rastin ta përmbyllte në favor të tij.

Ai e ka rrëfyer për Insajderin të gjithë historinë e ryshfetit me Zahir Bajramin. Në lojë kishte hyrë edhe djali i Bajramit.

Takimi i parë kishte ndodhur në një vend që nuk ka të bëjë asgjë me punën e Bajramit, në një dyqan qeramikash, pronë e djalit të Bajramit, Ardianit.

Por aty nuk kishte ndodhur ndonjë marrëveshje biznesi për shitje-blerje të qeramikave. Në vend të saj, u lidh një marrëveshje tjetër: ryshfet.

Pikërisht për këtë gjë,  dje është arrestuar Zahir Bajrami dhe djali i tij.

“Fillimisht më pyeti se ku po gjendem e çka po bëjë. Më pas i tregova se isha në paraburgim për shkak të dokumentit që ma kanë zënë”, nisë rrëfimin Musliu.

Me të dëgjuar rrëfimin e Musliut, Bajrami kishte dhënë fjalë të forta.

“Ai më tha se po ta kisha ditë unë kurrë ty kjo nuk të kish ndodhë”, rrëfen Musliu për Insajderin.

Fillimisht Bajrami, i kishte kërkuar 10 mijë euro nga Musliu. Kjo dëshmohet edhe në videot që ka siguruar Insajderi.

Në këto video, Bajrami i premton Musliut, se  i ka njerëzit e tij në shtet, të cilët do t’ia zgjidhnin problemin Musliut.

Për ta madje kishte edhe një nofkë. I quante “Roqkotellat”. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ai i Apelit, ishin “roqkotellat” e Bajramit.

Musliu, rrëfen se qysh në fillim të seancave gjyqësore, zyrtari nga Qeveria e Kosovës, nuk i ishte përgjigjur më telefonatave të tij por kishte dërguar djalin e tij Ardian Bajrami që të i bëjë ‘qare’ Musliut.

Dyshimet e Musliut që Bajrami vetëm i kishte marrë para por nuk ishte duke u angazhuar t’ia kryej punën për çka kishte dhënë ryshfet, kishin dalë të vërteta.

Gjykata e dënoi Musliun me dy vite burg. Një më pak, sesa vendimi i gjykatës para se Bajrami “ta merrte cështjen në dorë”.

Duke parë se ryshfeti 10 mijë eurosh nuk kishte kryer punë, Musliu u takua sërish me Zahir Bajramin.

I kërkoi t’ia kthente paratë. Por Bajrami, nuk ia ktheu. Në vend të kësaj, i kërkoi edhe 10 mijë e 800 të tjera.

“10 mijë i lypi për të paguar ‘roqkodellat’ e tij ndërsa 800 për shpenzime”, rrëfen Musliu.

Fillimisht Musliu thotë se kishte refuzuar t’ia jap këto para. Ishte nisur në Polici. Atyre do t’ua rrëfente të gjithë historinë me Bajramin.

E policia, siç rrëfen Musliu, e kishte këshilluar që t’ia japë paratë Bajramit, në mënyrë që ta zënë në flagrancë.

Data ishte caktuar 9 shkurti i 2017-s. Musliu do të shkonte në lagjen Veternik të kryeqytetit për t’u takuar me Bajramin. Por zyrtari nuk kishte dalë për t’i marrë paratë. E kishte dërguar të birin, Ardianin.

Policia e arrestoi të birin e zyrtarit të Qeverisë, ndërsa babain e tij e arrestoi në Fushë Kosovë.

Avokatja Adelina Isufi, e cila kishte mbrojtur Zahir Bajramin, vetëm gjatë intervistimit të tij nga Polcia për t’u tërhequr më pas, nuk është se flet shumë ngjarjen.

Ajo shpjegon vetëm se, zyrtari i Qeverisë kishte kërkuar që ajo të mos ta mbrojë më.

Kësisoj, Bajrami nga një zyrtar qeveritar që kishte marrë ryshfet për ta hequr Musliun nga burgu, përfundoi vet në burg.

“Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.