Rusia thotë ta ketë larguar nga Mesdheu nëndetësen e afërt me NATO

Rusia thotë ta ketë larguar nga Mesdheu nëndetësen e afërt me NATO

Anijet luftarake ruse në pjesën lindore të Detit Mesdhe kanë larguar një nëndetëse për të cilën Moska tha se po vëzhgonte skuadrën e saj në një mënyrë të “rrezikshme”.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjeneral majori Igor Konashenkov, tha se anijet e Marinës Ruse kanë hetuar një nëndetëse më 9 nëntor që ndodhej 20 kilometra larg aeroplanmbajtësit Admiral Kuznetsov.

Anijet ruse e kanë ndjekur nëndetësen për më shumë se një orë përpara se ta detyronin të largohej nga rajoni, tha Konashenkov pa hyrë në hollësi se si e larguan nëndetësen.

“Përpjekje të tilla të ngathta për të manovruar në mënyrë të rrezikshme brenda një rreze të ngushtë të grupit të anijeve ruse mund të çonin drejt aksidenteve të mëdha naviguese”, tha Konashenkov.

Një zyrtar i NATO-s tha se aleanca po monitoronte flotën ruse “në një mënyrë të përgjegjshme dhe të matur” me shqetësimin se grumbullimi i marinës mund të intensifikonte aktivitetet ushtarake ruse në Siri, ku Moska po mbështet regjimin me sulme ajrore kundër rebelëve të armatosur.

Në rrjetin sociale twitter, Ministria e Mbrojtjes e Holandës tha se nuk i komenton operacionet e kryera nga nëndetëset e saj.

Aeroplanmbajtësi i vetëm rus është shoqëruar nga anijet e tjera dhe raketa mbajtës në atë që shihet si vendosja më e madhe e marinës ruse që prej rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. (REL)