Rusia shpërfill BE dhe SHBA: Nuk i lirojmë protestuesit

28.03.2017 09:26
Rusia shpërfill BE dhe SHBA: Nuk i lirojmë protestuesit

Kremlini refuzoi t’i bindej thirrjeve të SHBA dhe BE për lirimin e protestuesve opozitarë, të arrestuar gjatë atyre që u cilësuan si protesta të paligjshme ditën e diel.

“Nuk mund ti pranojmë thirrjet”,-tha zëdhënësi i qeverisë, Dimitri Peskov, i cili përgëzoi policinë për profesionalizmin e treguar.

Nga ana tjetër ai akuzoi organizatorët e protestave për provokim dhe blerjen e manifestuesve të mitur me para.

Qindra njerëz u arrestuan të dielën në lidhje me protestat masive, më të mëdhatë që prej viteve 2011-2012, mes tyre edhe lideri i opozitës ruse Aleksei  Navalni.

Një gjykatë në Moskë e dënoi atë me 15 ditë burg për mosbindje të urdhrave policore. Përpara se të shfaqej në gjykatë,  40 vjeçari përshëndeti mbështetësit me një mesazh në Twitter. “Do të vijë koha kur në gjyq do të dalin ata”, -tha ai.

Navalni përsëriti akuzat për korrupsion kundër kryeministrit Dimitri Medvedev, të cilat ishin edhe arsyeja e manifestimeve të së dielës në të gjithë vendin.

Ndërsa policia e Moskës raportoi më herët për 500 të arrestuar, një grup për të drejtat e njeriut pretendon se të ndaluarit kishin qenë 1030 dhe se të paktën 120 prej tyre ishin ende pas hekurave.

Lideri i opozitës Navalni organizoi protestat mbarëkombëtare, pasi publikoi prova për pasuritë e mëdha që zotëronte Medvedev.

BE dhe SHBA kanë reaguar me shqetësim ndaj zhvillimeve në Rusi, duke dënuar aksionin e policisë e duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të demostruesve paqësorë.