“Rusia po përgatitë kaos në Ballkan”

29.03.2017 13:23
“Rusia po përgatitë kaos në Ballkan”

“Rusia po përgatit kaos në Ballkan”, paralajmëron kompania private amerikane e inteligjencës, “Strategic Forecasting”, e cila merret me analizat gjeopolitike dhe parashikime.

Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të situatës, “Stratfor” ka dalë në përfundimin se Moska do të përpiqet t’i shfrytëzojë ndasitë në rajonin që ka qenë traidicionalisht bazë për garat mes fuqive të mëdha.

Ndikimin e saj, ajo do të vazhdojë ta shtrijë, ose të paktën do të përpiqet, në disa prej zonave më të trazuara të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, veriun e Kosovës, Malin e Zi dhe Maqedoninë.

Me ushqimin e tensioneve në rajon, Rusia – argumenton “Stratfor”, – mund të projektojë një seri krizash tepër sfiduese për Perëndimin.

Artikulli i saj analizë me titullin “Rusia ngacmon folenë e grerëzave” kujton se, gjatë dy viteve të fundit, ndikimi rus në Serbi është rritur në mënyrë fare të qartë.

Tani që Kosova flirton me idenë se forcat e saj të armatosura të sigurisë mund të shndërrohen lehtësisht në një ushtri të vërtetë, marrëdhëniet me Serbinë po kalojnë në një tjetër ashpërsim, e nëse vazhdojnë kështu, Moska – profetizon “Stratfor”, – do të shfrytëzojë momentin për të krijuar një ngërç të plotë në terren.

Të njëjtën gjë u përpoq të bënte në fund të fundit edhe në Malin e Zi, qeveria e të cilit akuzoi hapur forcat ruse të sigurisë për komplotin e vrasjes së Milo Djukanoviçit pak përpara zgjedhjeve parlamentare të tetorit, me shpresën se kështu do të devijohej përpjekja e anëtarësimit në NATO.

Sa për Maqedoninë, – thekson artikulli, – ajo është prè e një fushate intensive dezinformimi të Moskës.