Rusia para kthimit të KGB-së

Rusia para kthimit të KGB-së

Që para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2018 në Rusi do të ngrihet një ministri për Sigurimin e Shtetit. Ish-shërbimi i vjetër i fshehtë dhe i gjithëfuqishëm KGB mund të ringjallet me një emër nga koha e Stalinit.

Një autokolonë e pazakontë veturash tërhoqi vëmendjen në verë në Rusi. Në fillim të korrikut, në internet u publikua një video amatore, që tregonte 30 të rinj në xhipa të zinj fuoristrada të një marke të njohur gjermane duke kaluar në rrugët e Moskës.

Ishin studentë që po përfundonin Akademinë e Shërbimit të Fshehtë FSB, të cilët festonin me potere përfundimin e shkollës. Të rinjtë me këmisha të bardha u prezantuan si një trupë elitare, si sundimtarë në vend. Një skandal, i cili para së gjithash kishte të bënte me faktin se studentët u shfaqën në mënyrë demonstrative mendjemadhe. Oficerëve të prekur dhe eprorëve të tyre ua ulën gradat, disa i larguan, bëri të ditur më vonë FSB, shkruan DW.

Ky incident është simbolik për pozicionin e shërbimeve të fshehta në Rusinë e sotme. Që prej ardhjes në pushtet të Presidentit Vladimir Putin, i cili në kohët sovjetike ishte vetë oficer i Komitetit për Sigurinë e Shtetit (KGB) dhe në fund të viteve 1990 drejtoi pasardhësin e KGB-së, FSB, ndikimi i këtij institucioni është rritur vazhdimisht. Prej vitesh pozicionet kyçe në vend i zënë punonjës të shërbimeve të fshehta.

Prej tre bëj një

Ndoshta tani përpara është edhe një hap tjetër në këtë drejtim. Shërbimet e fshehta dhe të sigurisë do të reformohen në mënyrë rrënjësore, bëri të ditur të hënën gazeta e Moskës “Kommersant”. Është parashikuar para së gjithash një Ministri për Sigurimin e shtetit, shkurt MGB. Superministria e re do të krijohet nga një bashkim i FSB dhe shërbimin e zbulimit në botën e jashtme, apo kundërzbulimin SWR. Edhe pjesë të Shërbimit Federal të Mbrojtjes, FSO, i cili është kompetent për mbrojtjen e politikanëve kryesorë dhe të nëpunësve civilë, do të bëjnë pjesë në strukturën e re. “Faktikisht është fjala që FSB-së t’i rikthehen detyrat e KGB-së sovjetike”, shkruan “Kommersant”. Veç kësaj është e planifikuar që ministria e re, të ketë mundësi të zhvillojë vetë hetime ose të mbikqyrë hetimet e organeve të tjera në raste veçanërisht delikate. MGB-ja e re do të krijohet që para zgjedhjeve presidenciale në vitin 2018.

Reforma e gjerë e forcave të sigurisë nisi që në pranverë, me themelimin e Gardës së Rusisë (Rosgvardija). Kjo organizatë e re krijohet në bazë të të ashtuquajturave Trupa të Brendshme, një njësi e ngjashme me ushtrinë e Ministrisë së Brendshme. Garda e Rusisë është nën komandën personale të Putinit. Në krye të saj është ish-shefi i bodigardëve të Putinit, Viktor Solotov. Disa vëzhgues besojnë, se Garda e Rusisë u themelua para së gjithash për të shtypur protesta të mundshme qytetare. Këto protesta ende nuk duken gjëkundi, por gjendja ekonomike në Rusi po keqësohet – para së gjithash për shkak të çmimeve të ulëta të naftës. Prandaj trazirat sociale janë të përfytyrueshme.

Përfundim i kthimit në Bashkimin Sovjetik?

Shërbimi i Fshehtë famëkeq sovjetik e mbajti emrin MGB nga viti 1946 deri në vdekjen e Stalinit në vitin 1953. MGB-ja sovjetike veproi në këtë kohë veçanërisht ashpër kundër atyre që mendonin ndryshe. Nëse FSB-ja i merr me të vërtetë kompetencat dhe me to edhe një emër të vjetër si në kohët e Stalinit, kjo do të përshtatej me konceptin e nxitur nga udhëheqja ruse për kthimin e simboleve sovjetike dhe të praktikave të asaj kohe. Ky proces nisi që në vitin 2000 me rimarrjen e melodisë së himnit sovjetik. Stalini dhe sundimi i tij “me grusht të hekurt” glorifikohen prej vitesh nga mediet shtetërore. Në të gjithë vendin po ngrihen monumente të Stalinit, fotografitë e tij i sheh herë pas here në pllakata në rrugë.

Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia ky proces u përshpejtua. Një shumicë e rusëve (54 përqind) e vlerëson pozitivisht rolin e Stalinit në Bashkimin Sovjetik, konstatoi në mars instituti i pavarur demoskopik Qendra Lewada. Një në katër rusë sheh “një nevojë” në terrorin e Stalinit. Në këtë sfond, reforma dhe ndryshimi i emrit të FSB-së në MGB duken si një vijë përmbyllëse. (DW)