Rusia ofron korridore humanitare në Aleppo

28.07.2016 12:36
Rusia ofron korridore humanitare në Aleppo

Moska, aleat i qeverisë siriane ka thënë se qeveritë e të dy vendeve janë duke hapur korridore humanitare për civilët që duan të largohen nga Aleppo, qytet në veri të Sirisë. Kjo përfshinë edhe luftëtarët që duan të heqin dorë nga luftimet.

Njoftimi nga ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, bëhet në kohën kur forcat qeveritare siriane kanë shtrënguar rrethimin e qytetin që kontrollohet nga rebelët dhe ku besohet se 250 mijë civilë kanë mbetur të bllokuar.

Shoigu ka thënë sot se presidenti rus, Vladimir Putin, e ka një “plan të madh humanitar” që do të fillojë në periferi të Aleppos për të “ndihmuar civilët që janë marrë peng nga terroristët por edhe luftëtarët që duan të heqin dorë nga armët”.

Shoigu ka përmendur tri korridore humanitare si dhe ofrimin e ushqimit dhe ndihmës së parë në periferi të qytetit.

Organizata siriane për të drejtat e njeriut me seli në Londër ka thënë se helikopterët tashmë kanë lëshuar njoftime që përmbajnë edhe harta të këtyre korridoreve.

Në Damask, presidenti Bashar al Assad, ka ofruar amnisti për rebelët që dorëzojnë armët dhe iu dorëzohen autoriteteve gjatë tre muajve të ardhshëm, njoftojnë mediet siriane.

Amnistia e publikuar sot, iu kërkon grupeve rebele që të lirojnë të burgosurit./rel.