Rusia konfirmon se ka caktuar dikë që të merret me grupin e të arrestuarëve

Rusia konfirmon se ka caktuar dikë që të merret me grupin e të arrestuarëve

Organet e rendit në Kosovë kanë njoftuar se 11 personave të ndaluar nën dyshimin e bazuar për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror, me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për vazhdim të procedurës së mëtejshme ligjore.

Të martën, autoritetet e sigurisë në Kosovë, kanë ndaluar pesë qytetarë serbë dhe gjashtë rusë, për siç është thënë, kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror nga Serbia në Kosovë.

“Policia Kufitare gjatë kontrollit, ditën e martë,të dy automjeteve ‘Mercedes’, kombi ngjyrë e bardhë, më targa të Serbisë, janë ndaluar gjithsej njëmbëdhjetë (11) persona të dyshuar, nën dyshimin e bazuar për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror”, thuhet në njoftimin për media.

Autoritetet kanë thënë gjithashtu se paraprakisht kishin siguruar informacione se në lagjen e quajtur “Sekiraqa”, në fshatin Metergofc të Podujevës, pritet të hyjnë në mënyrë të paligjshme disa shtetas serbë dhe rusë.

Remzi Potoku, është avokat i njërit nga të ndaluarit me shtetësi serbe. Ai për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se sipas deklaratave të klientit të tij, qëllimi i hyrjes në territorin e Kosovës ka qenë një vizitë familjare.

“Dyshohet se ata kanë kryer veprën penale të kalim ilegal të kufirit të Republikës së Kosovës. Kurse, duke u bazuar në klientin tim, motiv i kësaj ka qenë një vizitë familjare dhe shoqërore që kanë pasur në Kosovë. Klienti im është me shtetësi serbe, kurse punon në Rusi”, ka thënë Potoku.

Lidhur me rastin, organet e sigurisë kanë kërkuar avokatë në Odën e Avokatëve të Kosovës. Florim Shefqeti prokuror disiplinor në këtë Odë, për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se për rastin në fjalë janë angazhuar gjashtë avokatë.

“Në total janë kërkuar gjashtë avokatë. Këta janë kërkuar nga Drejtoria e Policisë së Kosovës, stacioni në Lluzhan, Podujevë”, ka thënë Shefqeti.

Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, përmes një komunikate, ka thënë se e dënon fuqishëm arrestimin e qytetarëve serbë dhe rusë, duke kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm.

Sipas tij, në mesin e të arrestuarve gjendet një grua shtatzënë dhe një person i moshës jomadhore.

Duke e cilësuar këtë veprim të autoriteteve të Kosovës, si përpjekje për politizim, Gjuriq ka thënë se nga zyra që ai udhëheq, të arrestuarve u është ofruar ndihma ligjore.

Edhe Ambasada ruse në Serbi ka konfirmuar ndalimin e gjashtë qytetarëve rusë në Republikën e Kosovës.

“Një përfaqësues i zyrës së ambasadës ruse në Prishtinë është duke e trajtuar këtë çështje, që prej se qytetarët rusë janë ndaluar. Ai menjëherë është nisur në vendin e ngjarjes”, ka thënë për agjencinë TASS, zëdhënësi i kësaj ambasade, Yuri Pichugin.