Rusia i kërkon Trumpit që t’ia kthejë Serbisë Kosovën

Rusia i kërkon Trumpit që t’ia kthejë Serbisë Kosovën

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Dumën ruse, Leonid Kallashnikov,  i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump dhe Perëndimit që t’ia kthejë Kosovën Serbisë.

“Thirrjet  për respektimin e sovranitetit tingëllojnë cinike kur vijnë nga presidenti, pushteti i të cilit ka  shkatërruar të gjithë rendin botëror. Le të fillojmë me Kosovën. Kush e shpërbëu Jugosllavinë? Amerikanët shkuan në këtë rrugë dhe e hapën kutinë e Pandorës”, tha Kallashnikov për agjencinë ruse të lajmeve “Tass”

Zyrtari rus në këtë mënyrë të mërkurën komentoi fjalimin e Donald Trump të mbajtur një ditë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kalashnikov ka thënë poashtu  se ish-Jugosllavia ishte shkatërruar duke injoruar të gjitha normat ndërkombëtare dhe pa një mandat të OKB-së, ndërsa siç tha ai  “ndarja e Kosovës shkoi pa asnjë referendum dhe me dhunë”, transmeton Klan Kosova.

“Shtetet e Bashkuara kanë shfuqizuar të drejtën ndërkombëtare, dhe tani ata janë duke u përpjekur për t`iu dhënë leksione të tjerëve, që është lloji më i keq i mundshëm i cinizmit. Së pari le t`ia kthejnë Kosovën (Serbisë)”, përfundoi Kallashnikov.

Trump dje paraqiti vizionin e tij për rendin botëror, duke thënë se ai duhet të bazohet në shtete të fuqishme sovrane dhe jo në aleanca shumëpalëshe.