Rusia e Putinit – kërcënim për demokracitë perëndimore

09.11.2017 08:47
Rusia e Putinit – kërcënim për demokracitë perëndimore

Një grup i ekspertëve të sigurisë dhe politikës së jashtme thotë se qeveritë perëndimore kanë qenë “të kufizuara dhe të dobëta” në përgjigjen e tyre ndaj “veprimeve armiqësore” të Kremlinit.

Në një deklaratë të iniciuar nga Instituti i Vlerave Evropiane, me seli në Pragë, dhe të titulluar “Perëndimi demokratik duhet të ndalojë Putinin”, rret 70 ekspertë thonë se duhet të ndërmerren hapa për të penguar planet e presidentit rus, Vladimir Putin, për të luajtur “përçaj dhe sundo” në zonën euro-atlantike.

“Vladimir Putin ka vendosur të trembë dhe të shqetësojë demokracitë dhe një pjesë e madhe e strukturës politike perëndimore nuk e ka kuptuar ende këtë”, thuhet në deklaratën e publikuar të enjten.

“Disa vende frikësohen me kërcënime, të tjerave u jepen premtime, në dukje të dashura, nëse marrin qëndrim më antiperëndimor, antidemokratik dhe antiliberal”,thuhet tutje në deklaratë.

Sipas së njëjtës, gati të gjitha vendet janë të sulmuara me spiunazh, korrupsion dhe krime të organizuara, si dhe me fushata të pandërprera të dezinformatave.

Deklarata vjen në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, më 13 nëntor, kur do të vlerësohet se si po funksionon komunikimi strategjik i bllokut me fqinjët e tij lindorë.

Deklarata e Institutit të Vlerave Evropiane u bën thirrje udhëheqësve politikë të pranojnë kërcënimin që paraqet Rusia për demokracitë perëndimore dhe të hetojnë dhe ekspozojnë aktivitetet e saj armiqësore.

“Rusia e Putinit paraqet kërcëim të madh për demokracitë perëndimore. Përdorimi i mjeteve përçarëse për ndikim armiqësor në çështjet e brendshme të vendeve demokratike është i papranueshëm dhe duhet të kundërshtohet me veprime mbrojtëse”, thuhet në deklaratë.

Bruksel

Liderët e BE-së i janë përgjigjur fushatës ruse të dezinformimit në vitin 2015 duke krijuar grupin e punës Stratcom-i Lindor, me qëllim promovimin e vlerave dhe politikave të bllokut në, siç është thënë, lagjen lindore.

BE-ja po ashtu ka ngrirë asetet dhe ka vendosur ndalesa udhëtimi për mbi 150 njerëz, pasi Rusia ka aneksuar në mënyrë të paligjshme gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014, por vetëm një numër i vogël i tyre janë zyrtarë të lartë të Moskës.

Grupi i nënshkruesve të deklaratës së Institutit të Vlerave Evropiane thotë se këto përpjekje nuk kanë pasur ndikim të madh.

“Nëse Evropa dëshiron ta mposhtë këtë kërcënim, liderët e saj duhet ta thërrasin atë me emër. Liderët rusë duhet të dëgjojnë nga përfaqësuesit evropianë se këto përpjekje përçarëse armiqësore kundër demokracive tona duhet të ndalojnë”, thuhet në deklaratë.