Rusia dhe Turqia, sulmet e para të përbashkëta në Siri

Rusia dhe Turqia, sulmet e para të përbashkëta në Siri

Moska dhe Ankaraja kanë ndërmarrë të parat sulme ajrore të përbashkëta kundër Shtetit Islamik në provincën siriane të Aleppos. Lajmi njoftohet nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

“Sot, Forcat ajrore ruse dhe turke kanë zhvilluar të parin operacion të përbashkët në goditjen e ISIS-it në periferitë e qytetit të al-Babit, në provincën e Aleppos”, tha Sergey Rudskoy, shef i Drejtorisë Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm, gjatë një informimi të shkurtër këtë të mërkurë.

Bazuar mbi rezultatet paraprake, përpjekja e përbashkët ka rezultuar e suksesshme, shtoi më tej zyrtari rus i Ministrisë së Mbrojtjes.

Në të njëjtën kohë, ushtria ruse është e përfshirë në një operacion tjetër kundër terroristëve xhihadistë në Siri, duke ndihmuar ushtrisë siriane në provincën lindore të Deir ez-Zor, për të zmbrapsur militantët pas ofensivës së tyre të fundit.

Xhihadistët janë duke shfrytëzuar superioritetin numerik atje dhe vazhdojnë të sulmojnë forcat siriane, të cilat janë në mbrojtje të civilëve në Deir ez-Zor, siç informon zyrtari rus. Nëse terroristët arrijnë të marrin qytetin, atëherë një “gjenocid i vërtetë i pret banorët e tij”, tha Rudskoy, i cili shtoi se “mund të asgjësohet e gjithë popullata e Deir ez-Zor”.

Deri më tani, forcat qeveritare siriane në qytet, të mbështetura nga Forcat Ajrore ruse, kanë mundur të rezistojnë përballë sulmit të ISIS-it, por zyrtari rus e përshkruan situatën si “tejet të vështirë”.

Militantët xhihadistë kanë ardhur në Palmira, Deir ez-Zor dhe al-Bab nga Iraku, thotë Rudskoy. “Veprimet e koalicionit të udhëhequr prej SHBA-ve në qytetin irakian të Mosulit kanë shkaktuar përgjithësisht zhvendosjen e forcave kryesore të ISIS në Sirinë lindore”. Sipas tij, Shteti Islamik ka qenë “thuajse tërësisht i lirë” në transferimin e forcave dhe armatimeve apo eksplozivëve drejt provincave siriane.