Rusia akuzon Presidentin e Kosovës për krizën e Maqedonisë

Rusia akuzon Presidentin e Kosovës për krizën e Maqedonisë

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka reaguar ndaj krizës institucionale nëpër të cilën po kalon Maqedonia, derisa ka akuzuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, se ka ndërhyrë nga jashtë në këtë krizë.

“Përkundër të gjitha manipulimeve, opozita e mbështetur haptazi nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, është dashur të përballet me një humbje”, ka thënë Ministria e Jashtme ruse përmes një deklarate për shtyp, raporton agjencia ruse e lajmeve TASS.

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov të mërkurën njoftoi se nuk do t’i japë mandatin për të formuar qeverinë, politikanit të opozitës, Zoran Zaev për shkak të marrëveshjes së tij me partitë etnike shqiptare.

Thaçi ka reaguar të enjten duke i bërë thirrje shqiptarëve në Maqedoni që të “marrin në dorë fatin e të drejtave të tyre.”

“Presidenti i shtetit të vetëshpallur të Kosovës, Hashim Thaçi është bashkuar me zyrtarët e BE-së, duke i bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të marrin në duar fatin e të drejtave të tyre, në përputhje me projektin e Shqipërisë së Madhe e cila përfshin zona të gjera në një numër të vendeve të Ballkanit”, thuhet në deklaratën e ministrisë ruse.

Përmes kësaj deklarate për shtyp, Rusia ka thënë se Kosova është një nga shtetet që sjell më së shumti jostabilitet në Ballkan. /Insajderi.com