Rugovasit thonë se Demarkacioni i lë pa bukë

04.09.2016 09:31

Banorët e rajonit të Rugovës thonë se me demarkacionin me Malin e Zi nuk po humbet vetëm toka e Kosovës, por edhe buka e rugovasve.

Rugovasit thonë se Demarkacioni i lë pa bukë

Tërheqja e ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi nga ana e kryeministrit Isa Mustafa në emër të Qeverisë së Kosovës nuk i ka “zbutur” banorët e fshatrave të Rugovës.

Në brezin kufitar me Malin e Zi, në Rugovë, pakënaqësia ndaj Qeverisë është rritur. Ata thonë se nuk po humbin vetëm rugovasit, por e gjithë Kosova.

Resurset e Rugovës banorët e kësaj ane, siç shprehen dhe vetë, i kanë shfrytëzuar për të siguruar ekzistencën.

Ende dhe sot shumë banorë jetojnë nga të ardhurat që fitojnë prej shitjes së bagëtisë, produkteve të tyre, si dhe nga shfrytëzimi i pyjeve.

Një familje mban deri në 15 krerë lopë, kurse blerës të produkteve të tyre janë banorët nga e gjithë Kosova, shkruan ‘Zëri’.

Familjet rugovase ende ruajnë mikpritjen për atë që u troket në derë, qoftë i huaj apo vendas. Pleqtë janë ata që po e ruajnë këtë traditë të shqiptarëve të mos zhduket. Por, kanë shumëçka të flasin e të tregojnë sidomos lidhur me pronat.

Ende në kujtesën e tyre ruhen të freskëta konfliktet me malazezët për të mbrojtur kufirin.