Rudi Vata: Vokrri po lëvizë gurët e kombëtares shqiptare

Rudi Vata: Vokrri po lëvizë gurët e kombëtares shqiptare

Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Rudi Vata ka thënë se Kosova do të mundohet t’ia marrë disa futbollistë Shqipërisë, pasi sipas tij “edhe ajo po tenton të formojë një skuadër konkurruese”.

Dikur mbrojtësi i Celtic Glasgow u shpreh i sigurt se jo vetëm një futbollistë me origjinë nga Kosova do t’i larohet Shqipërisë, duke thënë se “tani po krijohet një situatë jo e shëndetshme”.

“Nuk e shikoj të shëndetshme për futbollin shqiptar këtë situatë, kur disa prej lojtarësh kosovarë që janë pjesë e Kombëtares sonë do të largohen. Tashmë jemi në një moment ku ka disa enigma. Po flitet shumë për trajnerin, por jo vetëm. Në gjykimin tim, disa prej lojtarësh, të cilët kanë qenë deri më tani pjesë e Shqipërisë, do të zgjedhin Kosovën. Nuk mendoj se do të jetë vetëm një lojtar. Këtu futen të pakënaqurit, por ka edhe nga ata futbollistë që bëjnë llogari”, ka thënë Vata.

Ai tha se tani e tutje do të shohim një përballje ndërmjet dy krerëve të federatave shqiptare dhe kosovare të futbollit për futbollistët kosovarë.

“Politika e Federatës së Kosovës do të jetë për të ndërtuar një skuadër më të fortë se Shqipëria dhe për këtë kam bindje. Fadil Vokrri ka një emër të madh në futboll dhe tani si president i FFK-së, ka për të luajtur të gjithë gurët për të marrë lojtarët e Shqipërisë dhe Zvicrës. Mirëpo, të njëjtën gjë do të bëj edhe Armand Duka. Kosova i ka të gjitha mundësitë për të bërë një Kombëtare të fortë, sepse ka lojtarë shumë cilësorë në disa vende”, deklaroi Vata për Panorama Sport.

Trajneri i Kosovës në futboll, Albert Bunjaku ka thënë javën e kaluar se “më shumë se një futbollistë i Shëipqrisë do t’i bashkohet Kosovës”. /Insajderi.com