Ruçi i kënaqur me përfaqësimin e komuniteteve në Qeverinë e Kosovës

06.11.2017 15:14
Ruçi i kënaqur me përfaqësimin e komuniteteve në Qeverinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj priti sot në takim kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Pas takimit, në një prononcim për medie, kryeministri ka potencuar synimin që bashkëpunimet mes dy vendeve të jenë më përmbajtjesore në të ardhmen.

“Është ndjenjë vëllazërore, dhe gjithçka që na bënë atë që jem, e bënë edhe këtë moment të sotëm të mirë. Pra, është nder për mua që të pres kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. Ky nder bëhet më i madh se kanë ardhur tre shefat e partive parlamentare, Taulant Balla, nga Partia Socialiste, Edmond Spaho, nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Petrit Vasili nga Lëvizja Socialiste për Integrim”, ka theksuar kryeministri.

Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, është shprehur i lumtur me përfaqësimin e komuniteteve në Qeverinë e Kosovës, duke theksuar se shqiptarët dhe serbët kanë në dorë evropianizimin e Ballkanit.

“Në rrugën e gjatë që ka të bëjë Ballkani Perëndimor për integrimin e tij në Bashkimin Evropian, dy popujt ai serb kudo që jeton, në Serbi, në Kosovë, në Mal të Zi, në Bosnjë, dhe populli shqiptar kudo që ai jeton, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, apo në Serbi, sigurisht kanë shumë në dorë për të evropianizuar Ballkanin në radhë të parë dhe për të integruar në Bashkimin Evropian Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar ai.