RTK: Po përshkallëzohet dhuna dhe kërcënimet ndaj transmetuesit publik

RTK: Po përshkallëzohet dhuna dhe kërcënimet ndaj transmetuesit publik

Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës sulmin me bombë në shtëpinë e drejtorit të përgjithshëm, Mentor Shala, pas sulmit në ndërtesën e Televizionit, e vlerëson  si përshkallëzim të dhunës, kërcënimit dhe aplikimit të metodave terroriste në qasjen ndaj transmetuesit publik.

“Ne vazhdojmë të besojmë se gjuha e urrejtjes, e përdorur nga forca të ndryshme politike, sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje, paraqet  rrezik real dhe kërcënim serioz për funksionimin normal të transmetuesit publik”, thuhet në reagimin e menaxhmentit të RTK-së.

“Vazhdimi i përdorimit të asaj gjuhe nuk mund të kuptohet ndryshe, pos si një përpjekje që të legjitimohen dhuna, aktet kriminale dhe terroriste kundër një mediumi. Menaxhmenti i RTK-së mbështet plotësisht drejtorin e përgjithshëm, z. Mentor Shala, në përpjekjet e përbashkëta për funksionimin sa më normal të transmetuesit publik, në kohën kur, përveç sfidave të rrezikshme të sigurisë, po ballafaqohemi edhe me problemet serioze të financimit dhe të pronës”, thuhet më tej në reagim.

“Po ashtu, menaxhmenti edhe një herë siguron audiencën se RTK, duke mbetur brenda misionit të vet ligjor, do të gjejë fuqi dhe guxim që, në vendimmarrjen e vet menaxheriale dhe editoriale, të mos i nënshtrohet presioneve dhe kërcënimeve, duke mbetur në shërbim të publikut”.

Ndërkohë, menaxhmenti i RTK-së kërkon nga institucionet e shtetit që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e funksionimit të RTK-së dhe sigurinë e stafit të tij./Insajderi.com