RTK-ja pritet të bëhet sërish me pagesë

RTK-ja pritet të bëhet sërish me pagesë

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie, sot diskutoi për projektligjin për RTK-në, me ç’rast u bënë shumë ndryshime të cilat do t’i dërgohen Qeverisë për votim.

Ndryshime në projektligjin për RTK-në ka pasur në gjashtë pika të rëndësishme, por çka bie në sy, është që RTK-ja do t’u kushtojë familjeve kosovare me nga 2.5 euro.

RTK-në qytetarët kosovarë e kishin paguar edhe më herët me anë të faturave për energji, mirëpo kjo ishte cilësuar si shkelje kushtetuese, për ç’ka Gjykata Kushtetuese e kishte pezulluar.

Ndërkaq, RTK-së mund t’i hiqen edhe dy anëtarë të bordit, pasi nga 11 sa i ka tash, me projektligjin e  ri parashihet të jenë vetëm 9 anëtarë. Madje, këta anëtarë do të kenë një mandat 5 vjeçar, por s’do të kenë mundësi ri-kandidimi.

Gjithashtu, në projektligjin e ri kërkohet krijimi i një komisioni ‘ad-hoc’ për RTK-në, i cili do të kishte jo vetëm deputetë, por edhe profesionistë. Po ashtu, parashihet që RTK-ja të auditohet nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, gjë që nuk është bërë më herët.

Ndërkohë, ky projektligj do të dërgohet në fillim të javës tjetër në Qeveri për votim, e më pas kthehet tek deputetët për t’u votuar në Kuvend.

Ndryshe, Sindikata e Pavarur e RTK-së ditët e fundit ka ngritur shqetësime për kushtet e punës në transmetuesin publik dhe vonesë të pagave./gazetametro.net