Rrugëtimi i prokurorit politik, Sylë Hoxha

Prokuroria që po e heton aferën “Pronto” është përforcuar me një personazh të kësaj afere. Sylë Hoxha është bërë pjesë e Prokurorisë Speciale që po heton Adem Grabovcin dhe Njazi Kryeziu dy zyrtarë të lartë të PDK-së, afera e të cilëve ka qit në pah faktin se Sylë Hoxha është ngritur në maje të institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë

Rrugëtimi i prokurorit politik, Sylë Hoxha

Rrugëtimi i Sylë Hoxhës nëpër institucionet e drejtësisë është i lidhur ngushtë me rrugëtimin e tij politik. Madje fillimisht i ka shërbyer politikës e më pas drejtësisë.

Por në të dyja fushat atë e ka përcjellë kaosi. Ama në asnjërën fushë, ky kaos nuk e ka penguar që të ngjitet në pozita të lartë në sistemin e drejtësisë duke kaluar nga një parti në tjetrën.

Përkundrazi, ky implikim politik, i ka hapur rrugë, Sylë Hoxhës që të martën të transferohet në Prokurorinë Speciale e cila momentalisht është duke hetuar një prej aferave më të mëdha të zbuluara nga Insjaderi përmes përgjimeve “Dosja e Shefave”.

Kishte qenë nëntori i vitit 2011 kur Sylë Hoxha ishte përmendur nga dy njerëz të fuqishëm të PDK-së, Adem Grabovci dhe Njazi Thaçi.

Në këtë bisedë të zhvilluar në nëntor 2011, dëshmohet se PDK-ja në Prizren ka zgjedhur për kryeprokuror, Sylë Hoxhën i cili në të kaluarën ishte zyrtar i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Hoxha ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë nga kjo parti.

E kishte lënë LDK-në një kohë pasi partia kishte kaluar nga një përçarje pas Kuvendit të Karrigeve. Sylë Hoxha kishte qenë i pranishëm në këtë Kuvend të partisë, e cila atë e kishte emëruar edhe zëvendësministër të Drejtësisë.

Por rrugëtimi i tij politik me LDK-në nuk i kishte dhënë frytet e duhura.

Zgjidhja si duket ishte PDK-ja, partia që kishte pushtet edhe në Prizren nga vendi ku vjen vet Hoxha por edhe në qendër, gjë që mundësonte ndikimin edhe në institucione të tjera, sikurse ato të drejtësisë.

Në serinë e tretë të përgjimeve “Dosja e Shefave” dëshmohet se  kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha është zgjedhur nga PDK-ja.

Në të njëjtën kohë, Hoxha përmendet edhe si “i zgjedhur i partisë” që nuk dëgjonte “urdhrat e partisë”.

Për rastësi, kjo merret vesh kur Njazi Kryeziu refuzon që Fadil Kryeziu, një anëtar i LDK-së në Prizren të bëhet anëtar i Bordit të Ujësjellësit në Prizren.

Njazi Kryeziu thotë se duhet të hiqet nga lista sepse mund të veprojë njëjtë si Sylë Hoxha.

“Jo, jo s`të thom unë me shti atë, qysh kemi me shti atë po ja bajmë me ta si me Sylë Hoxhën tani na e qin nanën”, thotë Thaci, duke zbuluar faktin sesi Sylë Hoxha ishte bërë kryeprokuror në Prokurorinë e Prizrenit.

Pikërisht për bisedën, në të cilën përmendet Sylë Hoxha, Njazi Kryeziu, ish kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit, aktualisht këshilltar i Kadri Veselit po hetohet për dy vepra penale, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkelje të statusit të barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Hoxha një kohë ka qenë edhe ushtrues detyre i kryeprokurorit të Shtetit.

Në këtë detyrë erdhi në kohën kur vëllai i tij ishte në burg për marrje ryshfeti dhe shpërdorim të pozitës zyrtare.

Hoxha që ishte ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit ishte futur në lojë “politike” duke premtuar votën e tij në këmbim të uljes së dënimit për vëllanë, Elez Hoxha.

Laura Pula kishte marrë përsipër barrën e lirimit të tij nga burgu me arsyetimin se kishte tension të lartë dhe për pasojë mund t’i keqësohej gjendja shëndetësore. Ajo i propozoi Gjykatës Supreme që në kushte të “jashtëzakonshme” t’ia ndërpriste vuajtjen e dënimit ish-gjyqtarit të korruptuar. Krejt kjo pas një kërkese të Sylë Hoxhës, si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit.

Në këtë mënyrë, vota e Sylë Hoxhës si anëtar i Këshillit Prokurorial, do të shkonte për Laura Pulën të cilën, Hoxha e favorizonte edhe publikisht. Ajo pretendonte ta zinte pozitën e Kryeprokurores së Shtetit.

Por në krye të postit të kryeprokurorit të shtetit erdhi Aleksandër Lumezi, i cili të martën si kryesues i Komisionit për transferim dhe avancim të prokurorëve në Prokurorinë Speciale miratoi transferimin e prokurorit Sylë Hoxha, nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për gjashtë muaj./Insajderi.com