Rrugëtimi politik i Labinot Tahirit – Nga Ferizaji në Kuvend, nga LAA në PAN nga Pacolli&Haradinaj tek Kurti

Për vetëm dy vjet në politikë, Labinot Tahiri ka ndryshuar shumë bindje. Hyri në AKR për t'u bërë kryetar i Ferizajt, por hoqi dorë nga kjo ambicie dhe u bë deputet në koalicion me LDK-në e Isa Mustafës. Kërkoi që të largohet nga koalicioni me LDK-në, për të shkuar tek PAN-i, me vetëm një qëllim, bërjen e mikut të tij kryeministër. Kur i bëri këto dy veprime, ai po synon që ta bëjë të tretin - t'i tradhtojë Behgjet Pacollin dhe Ramush Haradinajn - për të cilët vazhdimisht thurte lavde, që gjoja janë njerëzit që punojnë shumë për Kosovën, por që tashmë ai është zhgënjyer nga ta. Tahiri po synon të anëtarsohet në Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, duke e bërë kështu një rikthim tjetër në jetën e tij politike.

Rrugëtimi politik i Labinot Tahirit – Nga Ferizaji në Kuvend, nga LAA në PAN nga Pacolli&Haradinaj tek Kurti

Më 23 maj të vitit 2016, zyrtarisht Labinot Tahiri hyri në politikë. Ai u bë pjesë e Aleancës Kosova e Re, të udhëhequr nga Behgjet Pacolli.

Me shumë premtime të mëdha, dhe deklarime për ndryshimin e gjendjes së popullit kosovar, sidomos në sferën sociale, Tahiri i hyri një rruge, të cilën thoshte se e zgjodhi për hatër të qytetarëve, e asnjëherë për interes të tij, shkruan Insajderi.

Shpejt u bë njëri ndër figurat kryesore në vendimarrjen e AKR-së. Synonte të bëhej kryetar i Ferizajt, por shpejt hoqi dorë nga kjo ambicie.

Si pjesë e AKR-së, bënë koalicion me LDK-në e Isa Mustafës, duke i hyrë së bashku garës në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 11 qershor.

Ai si kandidat i koalicionit LAA (LDK-AKR-Alternativa), arriti që të bëhej deputet i Kuvendit, për herë të parë në jetën e tij.

Zgjedhjet e atij viti, kishin nxjerrur fitues një koalicion tjetër. Ishte koalicioni PAN, në mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës, dhe me kandidat për kryeministër, një mik të Tahirit, Ramush Haradinajn.

Tentimi i PAN-it për ta formuar qeverinë, dhe i Haradinajt për t’u bërë kryeministër, e kishin gjetur mbështetjen e Labinot Tahirit, përkundër që ky ishte ‘opozitë’ brenda tentativës së PAN-it për ta bërë qeverinë.

Vazhdimisht kërkonte nga partitë tjera, që ta përkrahin Ramush Haradinajn, për tu bërë kryeministër. Thoshte se ai i duhet vendit, dhe se zgjidhja e tij në këtë post, do të ishte mundësi e mirë për zhvillimin e Kosovës.

“E shof shumë njeri të Zoti, Ramush Haradinaj, dhe si njeri që do të jap kontributin e tij sikurse në luftë ashtu edhe nê paqe! Ramush Haradinaj, e meriton shumë të behet Kryeminister i vendit. Unë besoj në vullnetin e tij, sepse edhe vet jam ai që dua të kontriboj për vendin edhe pse punet e mia tani per tani i kam me mire se 70 perqind te elites politike ose te asaj si estradë e artit ne vendit tone. Pra une e ndjej atë se cfarë Ramushi don që ta bëj për vendin tonë! Njekohesisht, mos të harrojmë me mirë është të behet dikush si Ramushi përballë Serbisë në këto rrethana ku ne si shqiptarë të Kosovës kemi pengesa që na bllokon Serbia në anëtarësimet ndërkombëtare, dhe se në negociata me ta duhet të shkojnë ata që ishin përballë tyre në kohërat e luftës”, kishte thënë Tahiri.

Labinot Tahiri, këto deklarime filloi që t’i bëjë edhe në praktikë. Shumë herë publikisht, e disa të tjera privatisht, ai kërkonte nga Behgjet Pacolli, që të dalë nga koalicioni LAA, dhe të bashkohet me PAN-in për ta formuar qeverinë e rë të Kosovës.

Dhe pikërisht kështu ndodhi. Ishte data 4 shtator i vitit 2017, kur Behgjet Pacolli në rezidencën e tij në Hajvali, mbledh bashkë Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn dhe Kadri Veselin, për të arritur marrëveshje për të formuar qeverinë e re të vendit, me në krye Ramush Haradinajn.

Pas zgjedhjes së qeverisë së re, Labinot Tahiri, kishte mbetur deputet i Kuvendit, duke mos u emëruar në ndonjë ministri. Nga foltorja e Kuvendit, shpesh herë mbronte qeverinë dhe kryeministrin e saj Ramush Haradinajn.

Madje, në njërën nga seancat, Tahiri u thoshte deputetëve të LDK-së, që mos të nguten të flasin, se gjërat mund të ndryshojnë, duke iu drejtuar me fjalët: “Nuk është mirë me fol herët. Ju thojsha që kom me bo Ramushin kryeministër, dhe qe e bona”.

Por, Tahiri nganjëherë dinte t’i lavdëronte edhe liderët e partive tjera opozitare.

Ai disa herë shprehte hapur simpatinë për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Më 7 dhjetor të vitit 2017, kur kryetari i VV-së, Albin Kurti, po arrestohej për shkak të aktakuzës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, Labinot Tahiri zgjidhte Facebook-un, për t’i dalur në mbrojtje. Pati thënë që Kuvendit të Kosovës, nuk po i ka hije pa Kurtin brenda tij.

“Në një kohë kur gjërat duken shumë të trubëllta në vendin tonë, lidhur me qëto ngjarje të Demarkacionit e shumë të tjera, k’jo foto që po e shoh sot, më iritoj tej mase, derisa e shoh Deputetin e kuvendit të Kosovës ‘Albin Kurtin’ , i prangosur para gjykatës sonë, apo para policisë sonë!!!!!! POLITKA NUK PO TË PYETKA SE A JA DO TE MIRËN VENDIT APO TË KEQËN?!Kush të qohet i pari po të vendoska prangat në duar.Albin Kurti, sinqerisht sot ndjej keqardhje për ty, ndoshta dhe unë nesër mund të dukëm kështu si ti sot, ama kur drejtesia flet për të gjithë atëherë ka dhe shumë të tjerë që ju shkojnë prangat për shtatti..! Dhe të drejtën me ta thënë, nuk po i ka hije kuvendit pa qenë edhe ti aty”, kishte shkruar Tahiri.

Përkundër gjithë përkrahjes që Tahiri ia kishte dhënë dhe përkundër gjithë deklarimeve lavdëruese për Behgjet Pacollin dhe Ramush Haradinajn, njëri kryeministër e tjetri zv.kryeministër, Tahiri duket se ka vendosur që t’i braktisë që të dy – Pacollin nga partia, e Haradinajn, nga qeveria.

Është vetë deputeti Tahiri, në një intervistë për Express ka thënë që s’e ende s’e ka bërë hapin përfundimtar, por që kjo pritet të ndodhë “shumë shpejt”.

“Jam duke diskutuar me miq, dhe e kuptoj që këshilltarët e rinj janë shumë të mençur. Konsultohem edhe me njerëz të historisë, që kanë njohuri për Kosovën dhe për kombin”, është shprehur Tahiri.

Ai ka thënë se me Vetëvendosjen tash për tash është në negociata. Tahiri ka treguar se AKR’në ka vendosur ta lërë, për shkak të shumë pakënaqësive me të, për të kaluar në VV, me të cilën, siç ka thënë ai, e lidh aspekti kombëtar.

“Jam në negociata, duke diskutuar me disa miq prej VV’së”, ka treguar ai.

“Çështja është që emri i Albinit s’përmendet askund për korrupsion, dhe unë jam person i pakorruptuar, dhe nuk dua ta kem një imazh të tillë në të ardhmen”, ka thënë Tahiri për Express.

“Çdo person që jam munduar ta mbroj në aspektin politik, e kam bërë në aspektin kombëtar… Duke u bazuar te Ramushi, unë e njoh vetëm në aspektin kombëtar, por këto gjëra që i bën, nesër i dalin që ka gabuar, unë më nuk e njoh”, është shprehur ai.

Tahiri ka thënë se në AKR nuk po çmohet, dhe po injorohet. “Jam dëshpëruar shpesh”, ka treguar ai.

“Rreth partisë time… janë disa persona që marrin vendime pa pasur kompetenca, ndërsa Behgjeti (Pacolli) i ka udhëtimet e veta, nuk merret me deputetët që e kanë mbrojtur deri dje…”, është shprehur Tahiri.

“Njerëzit që mendojnë të më neglizhojnë, të më injorojnë, janë shumë të vegjël. Për mua vetëm kombi dhe Zoti më i madh që ekzistojnë”, ka thënë ai.

“Nuk dua ta dëmtoj partinë. Problemi është që kur iu duhet, të qesin në rend të parë, kur s’ju duhesh, të qesin në rend të dytë”, është shprehur Tahiri.

Ai ka thënë se nuk po e gjen më veten në AKR, ndërsa beson se në Vetëvendosje do të përshtatet shumë mirë.

“Unë jam modest, i thjesht, i jap llogari çdokujt. Qytetarëve kurrë s’ju kam ikë. Jam duke këqyrë ta gjej vendin ku duhet”, ka theksuar Labi.

“Unë jam vetëm për ata njerëz që po heqin, për ata që kanë pare dhe janë pasuruar nuk kam ndjenja për ta”, ka thënë ai. “Dua ta kem një histori të pastër. Fëmijët dua të jenë të kënaqur me mua”, ka shtuar Tahiri.

“Në VV, janë njerëz që i njoh, i kam miq. Njerëzit më kanë thënë që e kam vendin aty”, ka thënë Tahiri.

“Ndoshta kam bërë gabim me demarkacionin, që s’përputhet me VV’në, por atë e kam bërë për 80 për qind të qytetarëve”, është shprehur ai.

Tahiri ka thënë se gjithashtu s’ka mundur të dalë kundër qëndrimit të Shteteve të Bashkuara për atë çështje.

“S’mund ta kundërshtoj Amerikën”, ka theksuar ai.