Rruga kushtetuese e zgjedhjes së Presidentit

Rruga kushtetuese e zgjedhjes së Presidentit

Zgjedhja e presidentit të ri në seancën e thirrur më 26 shkurt – në mënyrë që të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe praktikën kushtetuese të Kosovës – duhet të ndërtohet mbi bazën e dy kërkesave themelore kushtetuese. Së pari, kërkohet një shumicë prej dy të tretash e të gjithë deputetëve; dhe, së dyti nevojitet një minimum prej dy kandidatëve për president.

Neni 86 i Kushtetutës gjithmonë kërkon një shumicë të votimit me dy të tretat (80 vota) për ta zgjedhur presidentin në dy raundet e para të votimit. Raundi i tretë, ndërkaq, kërkon shumicën e thjeshtë – 61 vota për t’u zgjedhur Presidenti.

Të tri raundet e votimit për president konsiderohen të konsumuara (të shteruara juridikisht) vetëm nëse në kutinë e votimit gjendet 80 vota për secilin raund veç e veç. Ky është standardi i vendosur juridik, edhe sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese. Ky rregull i vënë e kërkon zbatimin e normës kushtetuese përshtatshmërisht për të tri raundet e votimit, ku kuorumi i prezencës fizike duhet të jetë ai i dy të tretave.

Pra, 80 deputetë në sallë pavarësisht votës “për” ose “kundër”.

Ky standard kushtetues është i vendosur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e njohur si “Pacolli”. Një raund i votimit në seancën për zgjedhjen e presidentit, konsiderohet i konsumuar në momentin dy kushtet e sipërpërmendura.

Kushti prej 80 deputetësh për kuorum zbatohet në të tri raundet e votimit për zgjedhjen e presidentit, meqë rregulla mbi kuorumin zbatohet mbi seancën në tërësi, pra për secilin raund të votimit të saj.

Sipas kuptimit të kësaj norme dhe këtij standardi kushtetues – qëndrimi fizik në sallë dallon nga votimi. Sipas kësaj fryme kushtetuese, në momentin kur të numërohen votat – në kutinë e votimit duhet të jenë së paku 80 fletvotime të plotësuara.

Dhe për t’u zgjedhur presidenti në dy raundet e para duhet të jenë “për” së paku 80 vota. Për shembull, nëse në kuti janë 79 vota e prezent në sallë 90 deputetë, e rëndësishme për ligjshmërinë e zgjedhjes së presidentit kualifikohet vota dhe jo prezenca fizike e një deputeti.

Kështu që dallimi midis prezencës fizike dhe votimit është përcaktues. Sipas kërkesave të Kushtetutës – votimi është vendimtar dhe vetëm zbatimi i normës kushtetuese të votimit – merret parasysh për t’u legjitimuar zgjedhja e Presidentit të ri.

Mosplotësimi i kushteve te mësipërme nënkupton moskonsumimin e raundeve. Kjo gjithashtu nënkupton ngrirjen e procedurës për zgjedhjen e presidentit, për shkak se asnjë raund nuk mund të konsumohet me automatizëm.

Dështimi i zgjedhjes së presidentit shpallet vetëm në rastin kur të tri raundet konsiderohen proceduralisht të konsumuara. Kjo i bie që në rast se, edhe në raundin e tretë ku kërkohet shumica e thjeshtë matematikore 61 deputetë me votë “për” – nuk kalon bashkë me kushtin e prezencës së 80’të deputetëve në sallë – atëherë Kuvendi shpërbëhet me automatizëm dhe Presidentja në detyrë duhet t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda 45 ditësh.

Kështu që, shpallja e zgjedhjeve të reja bëhet vetëm nëse edhe në raundin e tretë të votimit – asnjeri të dy kandidatët – nuk merr 61 vota ”pro” nga së paku 80 deputetë që duhet të kenë votuar “për” ose “kundër” në kutinë e votimit.