Rruga e “bllokuar” nga i ati i zëvendëskryeministrit të Kosovës

Kompensimi i një prone të babait të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Branimir Stojanoviç është bërë shkas për ndërprerjen e punimeve për shtrimin e një rruge në lagjen "Hajvalia" në Prishtinë.

Rruga e “bllokuar” nga i ati i zëvendëskryeministrit të Kosovës

Gjithçka kishte shkuar për së mbari deri sa një ditë në rrugë u pa i ati i zëvendëskryeministrit, Branimir Stojanoviç. Ai vetëm kishte ardhur aty për të treguar se një pjesë e rrugës shtrihet në pronën e tij. Kaq kishte mjaftuar për t’u ndërprerë punimet.

Kështu rrëfejnë banorët e lagjes Hajvalia në Prishtinë, të cilët po i vuajnë pasojat e bllokimit të punimit të rrugës, që tre muaj rresht, njofton Gazeta Tribuna.

Zenel Gashi, banor në këtë lagje, përkujton se Stojanoviçi ka ardhur në fillim të punimeve duke thënë se rruga do të shtrohet. Mirëpo,  sipas tij, ai më pas ka kërkuar kompensimin për tokë.

Zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviç nuk është prononcuar për këtë çështje.