Me rrogë 1,500 euro, kryetari i Vushtrrisë mban afër 20 mijë euro në banka

Me rrogë 1,500 euro, kryetari i Vushtrrisë mban afër 20 mijë euro në banka

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), mban afër 20 mijë euro (18.859) në institucione bankare.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), Mulaku ka deklaruar një shtëpi me vlerë 140 mijë euro. Këtë shtëpi, Mulaku e ka deklaruar në emër të tij, raporton Gazeta Online Insajderi.

Po ashtu, kryetari i Vushtrrisë ka deklaruar një veturë të blerë në vitin 2010, në vlerë prej 3,300 eurove.

Mulaku ka një pagë vjetore prej 18.309 eurove – në muaj i bie që ai fiton 1,500 euro nga paga në komunë. Por, kryetari i komunës së vjetër e tradicionale ka deklaruar mbi 18 mijë euro para të gatshme, të mbajtura në institucionet bankare.

Në emër të tijin, ai ka deklaruar se mban 6,818 euro në bankën NLB, ndërsa mban edhe nga 5,020 euro dhe 7,021 euro në bankën BKT. /Insajderi.com