Rritet numri i lëndëve të pazgjidhura në Gjykatën Themelore

Rritet numri i lëndëve të pazgjidhura në Gjykatën Themelore

Zyra e Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”.

Kjo Zyrë ka vlerësuar procesin e menaxhimit të lëndëve gjyqësore nga ana e gjykatave themelore si dhe punën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në monitorimin e progresit të këtyre gjykatave dhe krijimin e mekanizmave për t’i mbështetur ato në menaxhimin e duhur të lëndëve.

Procesi i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore në Kosovë nuk është efikas, dhe ky raport auditimi përmban informata mjaft të rëndësishme dhe me interes për t’u shqyrtuar, si për subjektet e audituara, për Kuvendin, qytetarët dhe palët e tjera të interesit.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar parregullsi dhe ka nxjerrë konkluzione përmes të cilave synon që të vihen në pah çështje me rëndësi për tu adresuar.

Gjykatat vazhdojnë të ballafaqohen me numër të konsiderueshëm të lëndëve të vjetra që vazhdojnë të mbesin ende të pazgjidhura, si dhe numri i përgjithshëm i lëndëve civile përveç që nuk është reduktuar, është vazhdimisht në rritje.

Si rezultat i numrit të madh të lëndëve civile nëpër gjykata themelore, qytetarët detyrohen të presin periudha të gjata për t’iu shqyrtuar e finalizuar lënda.

Njëkohësisht, fakti që trendi i lëndëve që mbeten të pazgjidhura nga viti në vit është vazhdimisht në rritje është shqetësues, dhe nëse nuk ndërmerren masa për ta përmirësuar këtë gjendje atëherë gjyqësori mund të shkojë drejt kolapsit.

Procesi i menaxhimit të lëndëve civile është karakterizuar me parregullsi të shumta në të gjitha fazat e tij.

Procedurat aktuale të vendosura në Gjykatat Themelore për të shpërndarë lëndët civile tek gjyqtarët nuk janë uniforme, dhe në të tre Gjykatat e audituara , secila nga procedurat e aplikuara është karakterizuar me parregullsitë e veta.

Këto parregullsi janë evidente qysh nga faza fillestare e shpërndarjes së lëndëve civile tek gjyqtarët, kompletimi dhe precizimi i kërkesë padive, menaxhimi jo adekuat i grumbullit të lëndëve nga sekretarët juridik, shtyrjet e vazhdueshme të seancave gjyqësore, vonesat në shqyrtimin e lëndëve në Gjykatën e Apelit si dhe norma e lartë e lëndëve që kthehen në ri-gjykim në Gjykatat Themelore.

Po ashtu, mangësi kishte edhe në praktikat që vet gjyqtarët aplikojnë për të balancuar llojet e ndryshme të lëndëve civile të cilat i marrin në shqyrtim.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk është treguar efikas për të monitoruar në mënyrë të duhur progresin e arritur nëpër Gjykata. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka krijuar mekanizma të përgjithësuar të cilat nuk i ofrojnë mbështetje të mjaftueshme Gjykatave Themelore në menaxhimin e lëndëve.

Kjo nënkupton që mekanizmat e përgjithësuar të krijuar nga Këshilli vështirësojnë monitorimin e progresit të arritur në Gjykata për të reduktuar numrin e lëndëve gjyqësore, si dhe nuk janë mjete të duhura për Gjykatat për të adresuar parregullsitë që hasin gjatë menaxhimit me lëndë gjyqësore.

Pushteti gjyqësor konsiderohet si pushteti i tretë shtetëror. Gjyqësori sipas kushtetutës, duhet të jetë unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe të sigurojë qasje të barabartë të qytetarëve në gjykata.

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut përcakton në mënyrë shumë të qartë se çdo individ ka të drejtë që çështja e tij/saj të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një kohe të arsyeshme nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e themeluar me ligj.

Prandaj, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Gjykatat Themelore dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, implementojnë praktika efikase dhe të bazuara në mekanizma të qëndrueshëm e funksional të menaxhimit të lëndëve në Gjykata dhe ofrojnë shërbimet e duhura për qytetarët.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu