Rritet numri i kërcënimeve, pushtetarët vazhdojnë të mbrojnë sulmuesit e gazetarëve

Demokraci Plus (D+) dhe Insajderi në kuadër të projektit “Përkrahja e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes përmes rritjes së monitorimit të çështjeve që kanë të bëjnë me media” me 12 mars organizuan një tryezë diskutimi me përfaqësues të ndrysëm të përfshirë në çështjet e sigurisë së gazetarëve.

Rritet numri i kërcënimeve, pushtetarët vazhdojnë të mbrojnë sulmuesit e gazetarëve

Në tryezë u diskutua për hapat institucionalë që po ndërmerren në Kosovë për zbulimin dhe ndjekjen penale të personave që kërcënojnë apo sulmojnë gazetarët gjatë kryerjes së punës së tyre. Të dhënat e Asociacionit të Gazetarëve në Kosovë tregojnë që gjatë vitit 2017 janë regjistruar 38 raste të sulmeve dhe kërcënimeve të gazetarëve, shifër kjo e cila është konsideruar në rritje krahasuar me shifrat e viteve të kaluara. Panelistë në tryezë ishin ministri i drejtësisë Abelard Tahiri, prokurori i mandatuar të merret me rastet e gazetarëve Besim Kelmendi, Petrit Çollaku nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Parim Olluri, drejtor i gazetës Insajderi.

Gjatë hapjes së tryezës, Isuf Zejna nga Demokracia +, ka thënë se rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve kanë shënuar rritje në vitet e fundit. Kjo sipas tij, paraqet një problem të madh për gazetarët që të shkruajnë ndaj atyre njerëzve që janë të fuqishëm ose të afërt me pushtetin.

Në anën tjetër, ministri Tahiri gjatë tryezës tha se një shoqëri demokratike dallohet për liri të shprehjes, ngase liria e shprehjes kontribuon luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai shtoi se është i vetëdijshëm se keqbërësve, kriminelëve, njerëzve që janë të përfshirë në afera korruptive gjithmonë i pengon puna e gazetarëve. Ai shtoi se gjykatat po dëshmojnë se kanë dorë të butë ndaj sulmuesve të gazetarëve, sepse ka pasur vendime me ndëshkime mjaft të ulëta.

Parim Olluri, drejtor ekzekutiv në gazetën online Insajder, ka thënë se fenomeni që përballen gazetarët, është gjuha e urrejtjes përmes rrjeteve sociale, andaj, Policia e Kosovës, sipas tij, në trajtimin e rasteve të tilla nuk është shumë e gatshme ndaj kërcënuesve të gazetarëve ashtu siç janë reagues të shpejt të kërcënuesve të politikanëve. Ai e ka quajtur absurde mos punën e Policisë së Kosovës në kapjen e tre vetave, të cilët e sulmuan në gusht të vitit të kaluar.

Po ashtu, absurd sipas tij është edhe vendimi i gjykatës për sulmuesin e gazetarit Vehbi Kajtazit, me vetëm katër muaj dënim me kusht.

Besim Kelmendi nga Prokuroria, ka thënë se i vjen shumë keq për çdo rast që i ndodhin gazetarëve, sepse gazetarët shkruajnë për çdo të keqe që i bëhet qytetarëve të Kosovës. Ai ka thënë se nga viti ‎1999-2016 ka pasur mbi 120 gazetarë, prej tyre disa të vrarë dhe të kërcënuar. Për këtë arsye, ai tha se po kërkohet të bëhet një polici gjyqësore e pavarur plotësisht nga politika.

Në këtë tryezë, po ashtu, u tha se gazetarët nuk lejohen të kenë qasje në dokumente publike nëpër institucionet e shtetit, nga shembujt e ofruar nga përfaqësues të ndryshëm të mediave.

Gjatë zbatimit të projektit, Demokracia + dhe Insajderi janë duke hulumtuar dhe raportuar për rastet e sigurisë së gazetarëve në instanca të ndryshme shtetërore si dhe duke testuar nivelin e reagimit të disa institucioneve për kërkesat për qasje në dokumente publike.

Ky projekt financohet nga Bashkimi Europian përmes skemës së granteve të vogla “Mbrojtja e Lirisë së Mediave dhe Lirisë së Shprehjes në Ballkanin Perëndimor” zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve Kroat, si pjesë e projektit rajonal Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokim të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve, në partneritet me gjashtë asociacione rajonale të gazetarëve-Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (IJAS), Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Asociacioni i Gazetarëve Kroat (CJA), Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AJK), Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (AJM) dhe Sinidikata e Mediave të Malit të Zi. Projekti ka filluar të zbatohet me 01 tetor 2017 dhe do të zgjasë deri me 31 maj 2018.