Rritet numri i deputetëve të pozitës që duan rrëzimin e Kryeministrit

Ka shkuar në katër numri i deputetëve që janë pjesë e Grupit Parlamentar të PDK-së që e përkrahin rrëzimin e Qeverisë. I fundit është Raif Qela i Lëvizjes për Bashkim. Ai ka thënë se nuk do të votojë as demarkacionin e propozuar nga Qeveria.

Rritet numri i deputetëve të pozitës që duan rrëzimin e Kryeministrit

Deri më tash, fundin e Isa Mustafës në krye të Qeverisë së Kosovës po e përkrahin publikisht katër deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Pos Shukri Bujës, Nait Hasanit e Shaip Mujës për rrëzimin e Qeverisë është edhe Raif Qela i Lëvizjes për Bashkim që është pjesë e Grupit Parlamentar të PDK-së.

“Përderisa kjo qeveri nuk po mund t’i plotësojë detyrat themelore të veta, ka ardhur koha që kjo qeveri të bjerë dhe që kjo përbërje e Kuvendit të përfundojë. Aq më parë kur edhe ligjet me shumë vështirësi po shqyrtohen e po miratohen. Kurse disa prej tyre nuk po kalojnë për shkak të kundërshtive brenda partnerëve të koalicionit. Por as zgjedhjet e reja nuk do ta japin ndonjë produkt që do të dallojë cilësisht nga ky. Për fat të keq”, ka thënë Qela, për Epokën e Re.

Ky deputet ka thënë, po ashtu, se do të votojë kundër versionit aktual të demarkacionit.

“Lidhur me versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi, unë nuk kam ndryshuar qëndrim. Do të votoj kundër. Mendoj se kjo çështje duhet të zgjidhet me arbitrazh ndërkombëtar”, ka shtuar ai.

Rrëzimin e Qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit e ka nisur NISMA për Kosovën, parti kjo e udhëhequr prej Fatmir Limajt.

Edhe Vetëvendosje dhe AAK e kanë përkrahur NISMA-n për Kosovën që të rrëzojnë Qeverinë e udhëhequr prej kryerarit të LDK-së, Isa Mustafa.