RrGGK: Gati gjysma e femrave ngacmohen seksualisht

RrGGK: Gati gjysma e femrave ngacmohen seksualisht

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës ka publikuar sot raportin ‘’Ngacmimi seksual në Kosovë’’, në të cilin konstatohet se ky është fenomen i përhapur në Kosovë i manifestuar në mënyra të ndryshme.

Sipas raportit, vetëm në vitin 2014, 45.2% e femrave kanë përjetuar këtë lloj ngacmimi, derisa 48.5% kanë përjetuar ndonjë formë të ngacmimit seksual gjatë jetës së tyre ani pse shumica e rasteve nuk lajmohen ne Polici.

Si forma më të shpeshta tw ngacmimit pwrfshihet shakatë, komentet apo gjestet e padëshirueshme derisa personat e moshës 18-25 vjeç kanë më shumë gjasa të ngacmohen seksualisht.

Gjithashtu në bazë të raportit, 64% e grave kanë konsiderueshëm më shumë gjasa që të kenë përjetuar ngacmim seksual se sa burrat, 32 %.

Gjatë publikimit të raportit, drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, Igballe Rugova, ka theksuar se shembull të ngacmimit seksual janë edhe fjalët banale që u drejtohen zakonisht gjinisë femërore.

Sipas saj RrGGK-ja nuk do të ndalet së punuari për ta parandaluar këtë fenomen.

Ndërkaq, kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edona Hajrullahu, tha se ngacmimi seksual është njëra ndër format e vjetra e ushtrimit të pushtetit në mes të gruas dhe burrit.

Ky raport, për herë të parë, analizon kornizën ligjore që ndërlidhet me ngacmimin seksual në Kosovë; perceptimet dhe qëndrimet drejt ngacmimit seksual; shtrirjen e tij; dhe përgjigjen institucionale.

Hulumtimi ka përfshirë rishikimin e kornizës ligjore, anketimin e 1,315 qytetarëve të Kosovës dhe më shumë se 200 intervista me përfaqësues të institucioneve publike, të shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë kyç./Insajderi.com